Rama krijon një parti për qejf të vet

Mund të konsiderohet si e përmbyllur faza e varrosjes së Partisë Socialiste dhe e zyrtarizmit të partisë private të Edi Ramës. Plenumi i djeshëm i ka nulifikuar personalitetet e së majtës, duke ngritur në tribunë klanin privat të kryetarit, prej anarkistëve antishtet e deri tek pinjollët e brezit të dytë të Bllokut. Kjo parti e ndërtuar sipas imazhit të tij, garanton moskokëçarje pas humbjes së ardhshme në zgjedhjet e 23 qershorit
Fakti/Edi Rama e di qeverisjen si një koncert me regji, jo si një përgjegjësi
Edi Rama krijon një parti për qejf të vet. Forma ka fituar mbi përmbajtjen në Partinë Socialiste. Për dy ditë me radhë në pallatin e Kongreseve u konsumua ideja maniakale e Edi Ramës për të nxjerrë “lakuriq” Shqipërinë sipas këndvështrimit të ngushtë personal të tij. Në plenumin mediatik të organizuar deri në detaje për të shpalosur programin e “Rilindjes”, Edi Rama lejoi të flisnin vetëm ato deputetë që e kanë të garantuar emrin në listën e kandidatëve të PS dhe u fiku shpresën atyre që janë shpallur të padëshirueshëm. Kjo gjë merr kuptim në faktin që nuk u lejuan të flisnin as Erjon Braçe dhe as Arben Malaj.
Kompetenca politike e teknokratike e këtyre dy figurave me eksperiencë ishte zëvendësuar me propagandën e organizatave radikale jo qeveritare të Erjon Veliajt dhe Olta Xhaçkës, që meritë kanë miqësinë e ngushtë me kryetarin Rama, të cilit iu detyrohen për karrierën politike.
Padyshim u lejuan të lexonin fjalimet kandidatët e përcaktuar për deputetë të PS në parlamentin e pas 23 qershorit, ku spikaste Taulant Balla, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Auron Tare, Shkëlqim Cani, Erjon Veliaj. Të gjithë këto deputetë janë krijesa politike të dalë nga mitra e përgjakur e ish-organizatës parapolitike “Mjaft”, “G99” dhe lidhjeve bllokmenë të pinjollëve të Enver Hoxhës. Dëgjuesit e këtyre fjalimeve në pallatin e Kongreseve ishin anëtarë të një grupi amorf të depersonalizuar në të cilën Edi Rama peshkon kandidatë për deputetë sipas interesave të ngushta financiare dhe elektorale.
Munguan në këtë shpalosje të programit Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Arben Malaj, Rexhep Meidani, Arta Dade, Valentina Leskaj, Englantina Gjermeni, e shumë deputetë e personalitete të tjerë me kontribute në PS. Nuk kuptohej pse duhet të flisnin në programin qeverisë së “Rilindjes”, kryebashkiakë të qyteteve të Durrësit, Elbasanit dhe Korçës, të cilët janë kthyer në pashallarë të vërtetë në këtë qytete. Edi Rama kujton se administrimi i këtyre qyteteve është simbol i mirëqeverisjes, ndërsa në të vërtetë janë përgjegjës të keqqeverisjes.
Gjithsesi prova gjenerale e plenumit mediatik për programin e “Rilindjes” sinjalizoi edhe nisjen zyrtare të fushatës së spastrimeve në parti. Asllan Dogjani, Skëndër Hasa e Erjon Braçe janë të parë që u mënjanuan pa shumë bujë.
Sidoqoftë një gjë është e vërtetë, Edi Rama kërkon të imponojë çdo gjë PS, duke e përgatitur kështu këtë parti në një mandat të tretë në opozitë dhe shumë deputetë në stolin e rezervave të politikës. Rezultati është se opozita politike e kryesuar prej Edi Ramës për tetë vite nxori si produkt të saj final një lumë fjalësh, videosh dhe instalacionesh programore jo organike mes tyre, si në cekjen e problemeve ashtu dhe në dhënien e recetave për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Kësisoj në këtë plenum mediatik u konsumuar shumë artefakte të papërpunuara pa lidhje me ekonominë e tregut dhe shtetin ligjor, duke sinjalizuar mungesën e seriozitetit në propozimet ekipit politik të Ramës. Të gjitha premtimet për Shëndetësi falas, për heqje taksash dhe rikthim në policinë e Shtetit të atyre që janë shkarkuar me motive korrupsioni do të thotë një kthim prapa në kohë.
Kreu i opozitës Edi Rama kujton se shteti qeveriset ashtu siç qeveriset partia me regji spektaklesh dhe koncertesh bajate pa shije, të cilat kënaqin një grup personash pa lidhje me jetën publike dhe intelektuale.