“Shqipëria me ritme të larta rritje ekonomike”
Kryeministri Berisha pret në takim Drejtoreshën e re të BB-së dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore, Ellen Goldstein
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Drejtoreshën e re të Bankës Botërore dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore Ellen Goldstein, e cila shoqërohej nga Drejtoresha e Bankës Botërore në Shqipëri Kseniya Lvovsky.
Gjatë takimit, Goldstein i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë e madhe që vizitonte Shqipërinë dhe për faktin se kishte konstatuar ndryshime të mëdha dhe shumë të dukshme impresionuese, ekonomike dhe shoqërore.
“Ndihem krenare që shoh gjithashtu që partneriteti i qeverisë shqiptare me Bankën Botërore është mishëruar në kaq shumë projekte të dukshme infrastrukture, konsulence dhe asistence”, u shpreh Goldstein.
Gjithashtu, ajo e falënderoi Kryeministrin Berisha personalisht për mbështetjen e madhe, dhënë projekteve të Bankës Botërore, në mbështetje të prioriteteve të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe të Bankës Botërore, projekte të tilla madhore si; programi për sigurimet shoqërore, për regjistrin e pronave të paluajtshme, projekti i inspektimeve, etj. Në këtë aspekt, Drejtoresha e Bankës Botërore e vlerësoi qeverinë shqiptare si një partner shumë i përgjegjshëm dhe produktiv në zbatimin e projekteve, duke mundësuar përdorimin e instrumenteve gjithnjë e më efektiv, që çojnë përpara vendin drejt aspiratave të tij në Bashkimin Evropianë.
Nga ana e tij, duke i shprehur kënaqësinë e kësaj vizite, kryeministri Berisha e uroi Goldstein për detyrën e re. Ai vlerësoi faktin se për dy dekada, Banka Botërore ka qenë një partnere e shkëlqyer për popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare, duke i dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në projekte infrastrukture dhe në projekte të tjera, si në konsulencë, studime etj, projekte këto jetësore për transformimet e mëdha që ka pësuar Shqipëria.
Kryeministri Berisha theksoi se dialogu me Bankën Botërore ka qenë, është dhe do të jetë i vazhdueshëm, bazuar në marrëdhënie të hapura, në vullnet të mirë dhe besim.
Gjithashtu, kryeministri Berisha i prezantoi Goldstein paketën e reformave të ndërmarra nga qeveria për të ndihmuar rritjen ekonomike dhe zhvillimin e shpejtë të vendit. Në këto muajt e fundit, theksoi kryeministri, është përgatitur një paketë tjetër lehtësish për bërjen e biznesit, meqë prioriteti i qeverisë ka qenë gjithmonë mbështetja e zhvillimit nga sektori privat. Për t’iu përgjigjur lehtësive fiskale dhe administrative të ofruara kohët e fundit, qeveria, pas 6 mujorit të parë, do të adaptojë buxhetin, praktikë kjo gjithmonë e suksesshme në këto 8 vite qeverisjeje.
Kryeministri Berisha shprehu besimin se, së shpejti, dy projektet madhore, ai i kaskadës së Devollit, të kompanive Statkraft dhe EVN dhe realizmi i projekti TAP, do të kontribuojnë në rritjen e punësimit dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike.
Më tej, kryeministri nënvizoi se reformat e qeverisë shqiptare kanë konsistuar jo vetëm në lehtësinë e të bërit biznes dhe lehtësitë fiskale, por edhe në prezantimin e praktikave dhe procedurave, që rrisin transparencën dhe kontrollin mbi një sërë aktivitetesh si; markimi i karburantit, skanimi në doganë i mallrave të importit, kasat etj. Këto ditë, theksoi ai, në kuadrin e lehtësive dhe dixhitalizimit të shërbimeve, hyn në përdorim edhe pagesa e taksave me telefon mobile. Kryeministri theksoi gjithashtu se, në të gjitha reformat e ndërmarra, qeveria shqiptare ka pasur si partner Bankën Botërore dhe për këtë, “ne ju jemi shumë mirënjohës”.
Drejtoresha e Bankës Botërore, Ellen Goldstein, e përgëzoi kryeministrin Berisha për mënyrën e qeverisjes dhe reformat e implementuara, reforma, të cilat e bënë Shqipërinë të mos bjerë në recension dhe të mbajë rritje ekonomike edhe në kushtet e krizës së rëndë mbarë botërore. Ekonomia shqiptare ecën më shpejt dhe më mirë se ekonomitë e tjera, por ajo nuk mund t’i shpëtojë efekteve të kësaj krize të gjatë, ndaj, në këtë kuadër, kujdesi për ekuilibrat makro ekonomik, është gjithmonë i domosdoshëm, vijoi Goldstein.
Gjithashtu, Ellen Goldstein, i tha kryeministrit Berisha që Banka Botërore do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe financojë projekte që konsiderohen prioritare për qeverinë shqiptare dhe ekonominë reale, duke pasur prioritet sektorin e energjisë, si dhe sektorë të tjerë, për të cilët do të vendoset pas diskutimeve të përbashkëta.
Kryeministri Berisha e falënderoi edhe njëherë Ellen Goldstein për bashkëpunimin e suksesshëm dhe dëshirën e mirë për të ndihmuar dhe kontribuar në zhvillimin e shpejtë dhe të qëndrueshme të Shqipërisë, nëpërmjet projekteve dhe asistencave që Banka Botërore ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë.