Të rinjtë, faktor përcaktues në fitoren e PD-së
Kryeministri Berisha bashkëbisedon me gjimnazistë e maturantë të shkollave të Tiranës, në vijim të konsultimeve për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Arsimi dhe projekti dixhital, prioritetet e mandatit të tij të ardhshëm.
Statusi, kreu i qeverisë konfirmon mbajtjen e referendumit kombëtar pas 23 qershorit.
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim miqësor e të frytshëm me gjimnazistë e maturantë të shkollave të mesme publike e jopublike të Tiranës, në vijim të serisë së konsultimeve me qytetarë për të dëgjuar mendimin, opinionin, sugjerimet dhe propozimet e tyre për projektin “Shqipëria, vend i zhvilluar”. Ky bashkëbisedim u zhvillua në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Gjimnazistët i kërkuan kryeministrit rritjen e cilësisë së kushteve në shkolla dhe në mësimdhënie për të mundësuar, që nëpërmjet përdorimit të kompjuterit dhe internetit të rritet standardi i dijes që marrin në shkollat e mesme. Premtimi i kryeministrit Berisha ishte se, në katër vitet e ardhshme të mandatit të tretë qeverisës së demokratëve, arsimi dhe projekti dixhital do jenë prioritetet madhore. Duke marrë shkas nga privimi i disa të rinjve për të ndjekur shkollën, Kryeministri tha se qeveria ka filluar një skemë të luftës kundër varfërisë që bazohet në një praktikë suksesi botëror përmes adaptimit të sistemit të mikrokredive.
Numri një i qeverisë dhe kreu i mazhorancës ka bërë me dije dhe njëherë mbështetjen ndaj sektorit jo publik të arsimit, ku theksoi se shumë shpejt do të kalojë në parlament ligjin, tokë për shkolla, përmes të cilit do tu ofrohen biznesmenëve troje falas për ato që duhet të hapin shkolla.
Ndërsa jemi në një vit zgjedhor, kryeministri Berisha i është përgjigjur dhe shqetësimit të maturantëve rreth faktit se, a do të kenë influencë në provime zgjedhjet e 23 qershorit nisur nga fakti se qendrat e numërimit do jenë edhe sivjet në shkolla.
“Zgjedhjet janë moment i rëndësishëm për shoqërinë çdo katër vjet, provimet janë ngjarje e rëndësishme për ju dhe ne do bëjmë gjithçka që ju t’i jepni të qeta, do shohim dhe do të udhëzojmë bashkitë dhe komunat që në organizmin e qendrave të numërimit të mos ndërhyjnë në provimet tuja, që të mos shtyhen ato, por edhe të votoni, pasi krahas votimit duhet të votoni”, tha ai.
Të rinjtë pyetën kryeministrin se çfarë ka humbur Shqipëria nga mosmarrja e statusit të vendit kandidat për shkak të mosvotimit të tre ligjeve.
“Ligjet nuk votohen se zoti Rama mendon se duke marrë statusin ai humbet zgjedhjet. Por nga mosmarrja e statusit humbasin miliona euro përfitime direkte dhe indirekte. Të rinjtë humbasin procedura lehtësuese për të konkurruar në shkolla dhe universitetet të BE”, tha Berisha. Kryeministri Berisha u tregua i vendosur, që pas zgjedhjeve parlamentare, të kërkojë mbajtjen e një referendumi kombëtar për votimin e tre ligjeve, pasi sipas tij, askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen europiane të vendit.
Më pas, takimi i Kryeministrit me nxënësit e shkollave të mesme, vijoi në formën e bashkëbisedimit
Ka shumë nxënës që ndjekin shkollat, por ka edhe nga ata që varfëria i detyron të braktisin shkollat. Çfarë ka në plan qeveria për këtë kategori dhe a keni një shifër se sa është numri i fëmijëve që kanë braktisur shkollën?
Çfarë bëjmë ne për nxënësit me ekonomi të varfër? Së pari, për arsimin para universitar, ata kanë librat gratis, nga klasa e parë deri në maturë. Së dyti, familjet e tyre kanë një ndihmë ekonomike, e cila gjatë këtyre viteve është dyfishuar. Sërish ajo është e pamjaftueshme dhe ne po fillojmë një skemë të re të luftës kundër varfërisë, skemë e cila bazohet në një praktikë suksesi botëror. Kjo skemë bazohet në besimin se asnjë njeri nuk është i varfër për shkak të vetes së tij. Janë rrethanat që e bëjnë të tillë. Atëherë, për ta ndihmuar atë, ne do të adoptojmë sistemin e mikro-kreditit. Mikro-krediti është një sistem mirëbesimi, dhëniesh shumash parash në mirëbesim për të hapur një biznes të vogël, ose nëse personi është në fshat, për t’i dhënë mundësinë të ndërtojë një fermë të vogël, për të blerë një a dy lopë, etj. nevoja. Ne e bëjmë këtë sepse këta qytetarë nuk kanë akses në banka. Nëse ata shkojnë në banka, ato nuk ju japin kredi, sepse ata nuk kanë çfarë të vendosin si kolateral, si garanci. Kjo skemë është provuar si skemë efikase.
Çfarë bëjmë tjetër ne për këtë kategori nxënësish? Të gjithë nxënësve që duan të vazhdojnë shkollat profesionale ne u japim bursë në shkollat e mesme, për të 4 vitet, kudo që ata janë. Edhe në zonat e largëta po të jenë, ne i sistemojmë në konvikte. Së treti, në universitet, asnjë njeri nuk mbetet, për shkaqe ekonomike, pa ndjekur universitetin, pasi të gjithë ata që janë me ndihmë ekonomike, apo që kanë prindërit të papunë, përfitojnë të drejtën e bursës. Në fakt, ky sistem financimi që ne kemi për universitetet, do të transformohet. Përsëri ne do të vendosim një mbrojte të sigurt për ata të cilët nuk kanë. Unë dua t’ju garantoj se preokupimi im më madhor, më absolut, është shkollimi i tyre, sepse ai që ka është në rrugën e mundësive, ndërsa ai që nuk ka është i vendosur para murit të pamundësisë. Në qoftë se ne nuk kujdesemi për të, ai mbetet në varfërinë e tij. Përveç kësaj, në aspektin afatgjatë, shkollimi, është konsideruar, konsiderohet dhe mbetet gjithmonë një nga mekanizmat më kryesor për t’i nxjerrë njerëzit nga varfëria. Edhe ky faktor na nxit që ne të bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve, pavarësisht nga gjendja e tyre ekonomike. Tani le të vijmë te shifrat e analfabetizmit që është baza. Ne kemi një regjistrim dhe ky regjistrim tregon, si drita e diellit, se në Shqipëri ka gjithsej 1300 fëmijë që nuk ndjekin shkollën. Ky është numri real i tyre. Çdo përqindje jashtë kësaj është absolutisht joreale. Megjithatë, ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort edhe pas këtyre 1 mijë fëmijëve. Ne duhet të bëjmë gjithçka, sepse nëse lejojmë që një fëmijë të rritet duke mos ditur shkrim e këndim, në një farë mënyre ne pranojmë që ai të mos e ketë shumë të qartë të ardhmen e tij. Edhe për këta fëmijë, ne, me programe speciale, do të bëjmë gjithçka që ata të mësojnë shkrim e këndim. Këto janë mendimet e mia për ata të cilët mund të përballen me vështirësi serioze për shkak të varfërisë.
Cili do të jetë roli i rinisë në të ardhmen, në planin tuaj?
Në planin tim të ardhshëm, por edhe në këtë që është sot, por dua ta them këtu hapur, për sa kohë unë të jem në pushtet, nuk mund të kem përparësi më absolute sesa axhenda e rinisë. Nuk kam pasur dhe nuk kam aleatë më të shkëlqyer sesa të rinjtë e këtij vendi, të cilët kanë qenë faktorë përcaktues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike. Përsëri, ne do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e shkollave. Ju studioni në shkollën “Ibrahim Rugova” dua t’ju them një gjë; gjatë këtyre viteve në qytetin tuaj, Kamzë, në këtë hark kohor të shkurtër 6 vjeçar, janë ndërtuar 13 shkolla të reja, pasi para 6 vitesh, gjendja e arsimit aty ka qenë katastrofale, bëhej mësim me tre turne dhe me orë mësimi 30 minuta. Pikërisht se kemi këtë përparësi, ne kemi bërë gjithçka për të normalizuar atë trashëgimi që patëm. Në qoftë se në Kamzë janë ndërtuar 13 shkolla dhe ri konstruktuar 5-6 të tjera, në shkallë vendi ne kemi ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, në të katër anët e vendit. Sërish janë edhe 500-600 të tjera, sepse shkollat ishin në një rrënim të përgjithshëm. Këto 1300 shkolla që kemi bërë, janë shkolla të standardeve më të mira. Po në këtë kontekst, me një projekt kombëtar, ne shtrimë internetin në çdo shkollë, në Kamzë, por edhe në zonat më të largëta të vendit, në mënyrë që interneti të mos ishte një “mollë e ndaluar”. Unë ju garantoj që, në shumicën e zonave, interneti është marrë me satelit, sepse në atë kohë nuk ka pasur rrjet. Gjithashtu, që shkolla të funksionojë si duhet, detyrimisht mësuesi është në qendër, është figura qendrore. Unë ju them se nuk ka ndonjë vend tjetër në Evropë ose më gjerë që, në një hark kohor 6 vjeçar, të ketë rritur rrogat e mësuesve nga 120 – 150 për qind. Këtë ne e kemi bërë për ju, e kemi bërë që mësuesi të ketë kushte dhe të mund të përqendrohet më shumë te mësimi juaj. Prandaj dhe axhenda jonë, së pari, është përpjekja për një shkollim masiv dhe cilësor. Është përpjekja për një punësim me përparësi i të rinjve. Ju jeni dëshmitar se qeveria ka shpallur nismën që, për çdo të ri që punësohet për herë të parë, qeveria do të marrë përsipër të paguajë për 3 vite sigurimet shoqërore për të dhe sipërmarrësi të mos paguajë asnjë taksë. Do të bëjmë gjithçka këtë katërvjeçar për një Shqipëri sportive, do të bëjmë çdo gjë që edhe në komunat më të largëta të vendit të ndërtohen terrene sportive, kjo në funksion të të rinjve. Unë besoj se sporti është i një rëndësie jetike për shëndetin, për kalitjen, për performancën në tërësi të të rinjve të vendit. 4-vjeçari që vjen do të jetë 4-vjeçari i terreneve sportive, në çdo komunë të vendit, i ndërtimit të palestrave në çdo shkollë të vendit, katër vitet që vijnë për ju do të jenë katër vitet e 4 G-së, teknologji e cila ju jep mundësinë të merrni në celularin tuaj internet deri në 100 giga në sekondë. Këto janë disa nga drejtimet tona.
Në shumë aktivitete të zhvilluara si nga bashkia e Tiranës dhe nga vet qeveria, gjimnazet jopublike në një farë mënyre duket sikur kanë një distancim. Në reformën tuaj arsimore, a do ti jepni përparësi sistemit jopublik?
Unë ju garantoj se kam besim të palëkundur dhe shumë të madh për sektorin jopublik. Së pari, të kuptohemi, qeveria është e detyruar të bëjë gjithçka për standardet më të larta në sektorin publik, sepse këtu është shumica dhe këtu është detyrimi madhor. Por, qeveria ka vlerësim dhe e ka synim zhvillimin e sektorit jopublik të arsimit. Sepse, publik e jopublik, rëndësi themelore ka financimi. Nëpërmjet sektorit jopublik, shoqëria mobilizon fonde të mëdha për edukimin e të rinjve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe krijohet një lehtësi tjetër, krijohet dhe një lloj gare midis dy sistemeve. Qeveria do të bëjë gjithçka për stimulimin e sistemit privat. Shumë shpejt ne do të kalojmë në parlament ligjin “Tokë për shkolla”. Kjo do të thotë qe ne do t’u ofrojmë troje falas atyre biznesmenëve që duan të hapin shkolla 9-vjeçare, të mesme, apo universitete. Sot për sot, rreth 9 për qind e të gjithë nxënësve të arsimit para-universitar janë në shkolla private. Sot për sot, rreth 21 për qind e studentëve të vendit janë në universitete private. Ky është një zhvillim shumë pozitiv. Nuk ka as edhe një lloj diskriminimi, përveçse vlerësim real për kontributin real që bëjnë në shoqëri këto shkolla që financohen me fonde jo publike. Nisur nga ky parim, TVSH-në e parë që ne kemi hequr, ka qenë për shkollat private. Kemi bërë shumë mirë, pasi prindërit tuaj, pra ata që çojnë fëmijët në shkolla private, paguajnë taksa edhe për shkollën publike. Në këtë aspekt, qeveria duhej të ishte e drejtë me ta. Ata janë kontributor me taksat e tyre në sistemin publik. Ndaj, duke hequr TVSH-në e shkollave private, kemi pasur qëllimin e mirë që aty, pagesat për nxënësit të jenë pak më të arsyeshme.
Zgjedhjet dhe fushata zgjedhore e këtij viti, a do të ketë influencë në provimet tona shtetërore dhe nëse qendrat e numërimit që në zgjedhjet e kaluara ishin shkollat, a do të jenë edhe këtë herë, gjë që do të sjellë vonesë në rezultatet tona?
Më keni bërë një pyetje jashtëzakonisht të veçantë. Zgjedhjet janë një moment shumë i rëndësishëm për shoqërinë, një herë në katër vjet. Çdo qytetar, me votën e tij, firmos për katër vitet qe vijnë për vendin e vet. Ndërkohë, provimet janë një ngjarje jashtëzakonisht për ata që kanë për të dhënë provime, për ju. Ndaj ne do të bëjmë gjithçka që ju ato t’i jepni të qetë. Do të shohim dhe do të udhëzojmë bashkitë dhe komunat që, në organizmin qendrave të votimit dhe qendrave të numërimit, të mos ndërhyjnë në provimet tuaja, të mos shtyhen ato, në mënyrë që ju t’i jepni ato në kohën e duhur. Por edhe të votoni, sepse krahas provimit, ju duhet të votoni patjetër. Kësaj radhe, janë hapur mijëra qendra votimi më shumë, në mënyrë që të mos ketë më shumë se 700 zgjedhës për qendër votimi dhe që gjatë atyre 12 orëve, të mund të votohet pa vështirësi.
A do të krijoni një program efikas ku nxënësit të orientohen për sa u përket hapave që duhet të ndjekin për të aplikuar për studime jashtë shtetit?
Ka shumë mundësi që kjo gjë të ekzistojë në ministrinë e Arsimit. Megjithatë, unë do t’i kërkoj ministrisë që ta ekspozojë shumë më qartë këtë program. Ne si qeveri garantojmë bursë për të gjithë nxënësit shqiptarë që aplikojnë dhe fitojnë të drejtën e studimit, në një nga 15 universitetet më të mira të botës në fushat jo teknike. Ndërsa në shkencat teknike, e kemi zgjeruar në një nga 50 universitetet e para të botës. Unë mund t’u them se ka, jo një, por disa studentë shqiptarë që kanë përfituar këto bursa, ndonëse janë bursa shumë të kushtueshme. Fatmirësisht, ka edhe studentë që nuk banojnë në Shqipëri, por banojnë në vende të tjera dhe që kanë përfituar bursë. Ne e quajmë këtë Fondi i Ekselencës dhe ky fond ka ardhur në rritje dhe do të vijë në rritje. Natyrisht, kjo bëhet kundrejt një kontrate, në rast se shkon në një nga këto universitete, qeveria jep bursën, ndërsa studenti është i detyruar të kthehet, pas studimeve, e të punojnë disa vite në vendin e tij. Më pas, është i lirë të punojë ku të dojë.
A ka krijuar qeveria juaj një kanal, qoftë në rrjete sociale, ose faqe të ndryshme, në mënyrë që ne nxënësit të informohemi drejtpërdrejtë nga qeveria për këto probleme që mund të kemi?
Qeveria, Kryeministri, ministria e Arsimit, kanë Facebook-un, në të cilin jeni të ftuar të shprehni lirshëm mendimet tuaja. Ndërkohë, faqja zyrtare e Ministrisë së Arsimit ka të gjitha problematikat e lidhura me shkollat, faqja zyrtare e Këshillit të Ministrave ka të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me sistemin arsimor. Për dijeni tuaj, ne po punojmë në fushën dixhitale dhe shumë shpejt do të vendoset sistemi i kërkesës së përgjithshme, ankesës së përgjithshme. Kjo do të thotë që, çdo kërkesë e paraqitur me sms, e-mail, me zë, të shkojë në destinacionin e vet, në agjencinë përkatëse, nga agjencia te personi përkatës dhe person-kërkuesi të marrë përgjigje. E njëjta gjë edhe kur kemi të bëjmë me ankesat. Ky sistem do të bëhet realitet në një afat të shkurtër. Një kompani e vogël private, e përbërë nga të rinj, ka hartuar dhe po punon në softin e këtij sistemi dhe unë kam shumë besim te ata dhe se shumë shpejt do ta bëjmë realitet. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e madhe dhe lehtësuese.
Vërtetë interneti nuk është më “mollë e ndaluar” nëpër shkolla, por mund të themi se është “mollë e ndarë në 4 pjesë”, sepse në çdo kompjuter punojnë 4 nxënës dhe kjo është e vështirë për një orë mësimi 45 minuta. C ‘mund të bëhet më tej për këtë situatë?
Nisma tjetër tashmë është; nga “internet në çdo shkollë” në “internet në çdo klasë”. Ne do të ecim përpara, do të kalojmë ne mësimin dixhital dhe do të përdorim metodat më moderne që ekzistojnë. Çdo gjë të teknologjisë më të avancuar, të parët që do ta kenë, do të jenë të rinjtë, nxënësit dhe studentët.
Të gjithë ne që jemi sot këtu kemi një lloj ndjenjë admirimi ndaj jush dhe do të doja më tepër të merrja një këshillë personale nga ju; çfarë na këshilloni të bëjmë, në mënyrë që të sjellim ndryshim, të vazhdojmë përpara?
Nuk është e thjeshtë për mua t’ju këshilloj, por ajo që mund t’ju them është se nuk ka asgjë më fisnike për njeriun sesa përpjekja për të bërë realitet ëndrrën e tij. Po të shikoni arritjet e njeriut, të gjitha janë përpjekje për të shndërruar një ëndërr në realitet. Ëndërr dite sigurisht, jo ëndërr nate. Prandaj, ajo që unë ju këshilloj është, së pari, të jeni ambiciozë në kuptimin pozitiv të fjalës dhe, me përkushtim, të punoni në projektin që ju pëlqen më shumë. Ka jashtëzakonisht mundësi që ju të zgjidhni. Këtu, detyra është më shumë e shoqërisë dhe shtetit. Shoqëria, shteti dhe familja duhet të pajtohen me zgjedhjet tuaja. Zgjedhja që mund të bëni ju, në tërësi, është më e drejta. Mund të ketë gabime në të, por gabimet më të mëdha janë në rast se juve ju imponojnë zgjedhjet, pasi një gjë që e zgjedh vet, i përkushtohesh dhe i del në krye. Kjo është ajo që mund t’ju them.
Në këtë mandat keni ndërtuar e rindërtuar 1300 shkolla, po në mandatin tuaj tjetër, sa shkolla të tjera keni menduar të ndërtoni?
Është absolutisht objektiv i pandryshueshëm; do ndërtojmë çdo shkollë kudo që ndodhet, pasi unë dua që shtëpia e dytë e nxënësve, e fëmijëve, pra shkolla, të jetë sa më komode, sa më e bukur, sa më dinjitoze. Ne, gjatë këtij mandati që vjen, në mënyrë të pa diskutueshme, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë që ka mbetur. Jemi të sigurt për këtë.
Kemi dëgjuar shumë mediatikisht për debatin mazhorancë-opozitë për tre ligje që ende nuk po miratohen në parlament. A mund të na jepni ju një informacion më të detajuar se në çfarë konsistojnë këto 3 ligje dhe çfarë të mirash sjellin ato për shoqërinë?
Kjo është një pyetje shumë e drejtë. Këto tre ligje u bënë të famshme në të gjithë Evropën, jo për rëndësinë e tyre kapitale, por për mos votimin e tyre. Njëri prej tyre, është një amendim, një shtesë në ligjin për Gjykatën e Lartë, i cili i shton Kolegjin Administrativ, Gjykatës Administrative, sepse u miratua ligji për Gjykatën Administrative. E vërteta është që, ata që sot nuk e votojnë, ishin nismëtarët, apo propozuesit e këtij amendamenti. Ligji i dytë ka të bëjë me statusin e Shërbimit civil. Shërbimi civil ka të bëjë me disa mijëra punonjës në administratë, të cilët nuk janë politik, të cilët kanë një mbrojtje ligjore, por që ky ligj u jep edhe disa liri politike, le ta themi, ose më saktë u jep mundësi që të shprehin tendencën e tyre politike, të marrin pjesë edhe në fushata zgjedhore, etj. Ky është një ligj i standardeve evropiane. Ligji i tretë ka të bëjë me disa amendime të rregullores së parlamentit. Pra, ligjet në vetvete, nuk është se janë ligje që mbushin ndonjë boshllëk, përveç amendamentit të Gjykatës Administrative. Problemi i tyre është se përse nuk votohen? Ne po shkojmë drejt procesit të integrimit dhe integrimi është një proces universal reformash vendimesh, ligjesh, me të cilat t’i afrohesh gjithnjë e më shumë me një lloj standardi apo kriteri të vendeve anëtare të BE-së. Këto tre ligje nuk i voton kryetari i opozitës, sepse mendon se në rast se do t’i votonte ato, Shqipëria merr statusin e kandidatit dhe kjo do ta dëmtonte atë dhe interesat e partisë së tij. Absolutisht nuk është kështu. Nëse ai do t’i votonte, qeveria dhe opozita merrnin vlerësimin nga qytetarët e vendit të vet dhe të tjerët dhe vendi ynë merrte statusin. Kjo do të thoshte disa qindra e qindra milionë euro më shumë për Shqipërinë.
Së pari, sepse, nëse konsiderohesh vend me statusin e vendit kandidat për në BE, ky është një lajm pozitiv për gjithë investitorët e huaj. Unë dua t’ju informoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë ndër faktorët më kryesorë që ka rritur 300 për qind investimet e huaja në Shqipëri, sepse për biznesmenin apo sipërmarrësin e huaj, kur sheh se Shqipëria është anëtar i NATO-s, do të thotë se ka siguri të shkojë e të investojë. Por nëse do të shihte se Shqipëria është edhe vend i NATO-s, edhe vend me statusin kandidat në BE, kjo është siguri edhe më e madhe për atë. Së dyti, vet statusi ka një implikim direkt në raport me Komisionin Evropian. Fondet nga Komisioni Evropian rriten rreth 150 euro për frymë, çka nuk janë pak. Së treti, të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të aplikojnë në universitete të vendeve anëtare më lirshëm dhe të gjejnë aty të drejta studimi, pse jo edhe bursa, në kushte më të favorshme. Po kështu, edhe për të sëmurët që duan të shkojnë të spitale më të specializuara e moderne. Ky është një veprim që nuk e ka bërë kush, kurrë, në proceset e integrimit në Evropë. Por çfarë do të bëjmë ne? Unë jam këtu edhe për të marrë mendimin tuaj. Unë e shpalla edhe në FB, - ku pata një mbështetje të jashtëzakonshme, mbi 250 mijë persona lexuan kërkesën dhe mijëra prej tyre e mbështetën, - të shkojmë në referendum për këtë çështje, pas zgjedhjeve. Kjo sepse, nuk mund të mbahet procesi i integrimit peng i dëshirave të këtij apo atij. Procesi i integrimit është proces jetik për qytetarët shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tij. Unë ju siguroj se ecja drejt BE-së është rruga më e sigurt për t’i bërë qytetarët shqiptarë më të lirë, për të garantuar më shumë liritë e tyre, është rruga më e sigurt për t’i bërë qytetarët shqiptarë më të mëkëmbur, për të bërë që ata të ecin drejt niveleve të reja të mëkëmbjes e prosperitetit. Kjo është e ardhmja më e mirë. Para zgjedhjeve kjo nuk lejohet, sepse në afatin 6 mujor para zgjedhjeve, ligjet e vendit përcaktojnë se nuk mund të ketë referendum. Pas zgjedhjeve, do të shkojmë t’i votojmë dhe unë jam i sigurt se shqiptarët do t’i votojnë në mënyrën më plebishitare, në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Unë sigurisht do të marr edhe mendimet tuaja, por mendoj se kjo është rruga më e drejtë për t’i dhënë fund këtij diskutimi që nuk na bën nder aspak si vend.
Në shkollën “Ismail Qemali” problemi i vetëm mbeten mësimi me 2 turne për shkak të mungesë së ambienteve shkollore. A parashikon plani juaj qeveritar zgjerim të ambienteve shkollore?
Le të flasim hapur. Dy turnet janë jo aq të përshtatshme, por Gjermania, vendi më i pasur i këtij kontinenti, shkollat në qytete i ka me dy turne dhe i ka, jo për arsye tjetër, por vetëm për arsye ekonomike. Ne kemi hequr turnet në disa qytete ndërkohë. Por do të doja t’ju pyesja juve: më parë, duhet të heqim turnet në Tiranë, apo të ndërtojmë shkollat më të rrënuara që janë pas Dajtit, apo në zona më të thella? Në Tiranë, do të ndërtohen edhe 13 shkolla të tjera. Bashkia ka gjetur trojet, ka edhe fondet, sepse kjo situatë në Tiranë nuk u krijua për shkak të mungesës së parave, sepse ne i kemi dhënë bashkisë së mëparshme të Tiranës 21 milionë euro, kredi të Këshillit të Evropës, me garanci qeveritare. Por problem ishin trojet. Tashmë ky problem është zgjidhur dhe do të ndërtohen 13 shkolla. Nuk mund të them nëse këto 13 shkolla e bëjnë tërësisht të mundur heqjen e turnit të dytë, por jam i sigurt se këto 13 shkolla bëjnë plotësisht të mundur që klasat të kenë jo më shumë se 30 nxënës.