Rama, ky humbës i ambicies së pakufizuar për pushtet
“Fitorja dhe humbja janë brenda nesh” -Epikteti
Mëkatári e lakmon pushtetin edhe për të mbrojtur zullumet e veta. Dihet që humbjet nuk i ngjajnë njëra tjetrës. Kjo e Ramës është vërtet një bumerang. Si fajtor, Rama s’ka sy e faqe të premtojë gënjeshtra të reja. Si dështak, e ndërton garën vetëm mbi akuza ndaj kundërshtarit. Si mëkatar, dyshon dhe në sinqeritetit e shenjtorëve. Frika e ndëshkimit i ka mprehur hipokrizinë. I ndodhur në hall, shtiret “mishërím i dhembshurísë”. Si konfliktual, mbrohet duke sulmuar me slogane “revolucionare”. Ky avokat i mëkateve të neobllokmenëve ka tmerr nga humbja. Dhe ndoshta pikërisht kjo i garanton disfatën. Ndaj tenton t’i inkriminojë militantët, që t’i lidhë si bashkautorë pas qerres së tij. Si ithtar i totalitarizmit, nuk i njeh cak bojkotit. Si besimtar i shtirë, e njëson veten me madhështinë e Zotit, kur përcakton “Rrugën e vetme”. Ky “liberal”, që lufton për transparencë, i trembet çdo debati publik. Por, si anarkist nuk e harron kurrë gjuhën e protestave. Luftën e klasave e realizon nëpërmjet diferencimit ekonomik. Kurse bunkerizimin e rí, me pengesat për liberalizimin e vizave. Në themel të shpirtit nostalgjik i qëndron tmerri për mëkatet e veta dhe të atyre, që i kanë besuar avokatinë e zullumeve.
Rama shtiret si jo politikan për t’u besuar si “shërbëtor”. Shpallet apostull i votës së lirë dhe lufton t’i fitojë zgjedhjet me çdo kusht. Akuzon kundërshtarin për uzurpim institucionesh dhe i fryn në vesh Drejtësísë t’i bjerë daulles së tij. Si mosmbajtës premtimesh, nuk guxon të shpallë alternativë. Ndërsa si sharlatan, vë në dyshim rekomandimet e miqve të mëdhenj të Shqipërísë. Ky neokomunist i “europianizuar” lumturohet për mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Ndoshta prandaj, si “flamurtar” i liberalízmit perëndimor, bllokon reformat me votën e mercenarëve të tij parlamentarë. Alternativë e tij është shpifja ndaj kundërshtarit. Si “gjithëpërfshirës” personalizon synimet e krejt socialistëve. Për qëllimet egoiste, u vë flakën idealeve humanitare. Ambicien e tij për pushtet të pakufizuar nuk e nxë qielli. Si mëkatar Rama lëngon nga sindromi i frikës. Humbja e bashkisë është parathënia e fundit të ambicies së tij për pushtet të pakufizuar. Humbja i kujton dhe lukuninë e “zagarëve” të korruptuar, që do ta “rrjepin” po nuk “justifikoi” besimin e tyre. Prandaj Rama, ky narciz i pandreqshëm, shtiret sikur lufton si të bëhet shërbëtor i atyre, që të parët e tij nëpërkëmbën pa mëshirë. Ky “misionar” i dinjitetit, i trajton shqiptarët si lypsarë që duhen mëshiruar. Ndoshta prandaj ka përsosur talljen e “qoftëlargut”, duke marrë poza “gju më gju me popullin”. Dishepull i gjigandomanísë, krekoset me mitingashët e blerë. Dhe, është aq moskokëçarës ndaj kritikave dashamirëse, sa nuk përfill as sugjerimet e ndërkombëtarëve. Ambicia për sa më shumë pushtet me sigurí ka për ta lënë me gisht në gojë. Meqë humbjen e ka tmerr, hiqet sikur nuk e llogarit kundërshtarin. Jo më kot Beniamin Franklini ka thënë: “Ai që bie në dashurí me veten, nuk ka rival”. Ashtu si Enver mashtruesi, që, kur pushkatonte gjysmën e Byrosë, mburrej se Partia e tij nuk kishte qenë kurrë më e fortë, Rama sillet si fitimtar i përjetshëm, kur parandien humbjen e sigurtë. Dhe tmerri i humbjes është për të shumë më i fortë se krekosja për një fitore, të sajuar për gajret. Se mëkatari gjithmonë tenton t’u fshihet klithmave të mëkateve të veta. Por, sa më shumë i mohon ato, aq më tepër tronditet në thellësí prej tyre. Ndaj sillet si triumfator, kur humbjen po ia përplasin në fytyrë edhe ithtarët e tij. Duke mos pranuar debat me kundërshtarin, tregon mungesë totale argumenti. Prandaj politizon dhe fushatën administrative; sajon rreziqe imagjinare manipulesh dhe gatit alibí, për të mos njohur fitoren e sigurtë të kundërshtarit. Ndërkohë ëndërron bojkote të reja, thirrje të reja për zgjedhje të parakohshme, pa harruar protestat për përmbysje me “dhunë”.
Frika e mëkatarit nga ndëshkimi për zullumet e veta dhe të bashibozukëve të korruptuarve është themeli i atij bumerangu fatál, që do ta nxjerrë Ramën në pension të parakohshëm. Se frika e ndëshkimit detyron çdo mëkatar të kërkojë shtyrjen e rrezikut. Dhe kjo nuk varet nga vullneti i Ramës. Përkundrazi! Është në instinktin e çdo mëkatari. Të burgosurit e dënuar, që prisnin të ndëshkoheshin rëndë, infektonin sytë, që t’u shtyhej ora e mynxyrës. Se tmerri i pritjes e detyro mëkatarin të pranojë madje dhe humbjen pa garë, sikur të garantohet se kështu shpëton, qoftë edhe me duar në xhepa. Mirëpo Ramën e ndjek pas lukunía e ujqërve të korruptuar, “dinosaurëve” të parásë së pistë, që nuk e lënë “të lëvizë bishtin”. Ndoshta prandaj Ramës s’i mbetet veç të ndahet me ambicien e tij duke kërcyer nga belája. Ndaj shtiret i qetë, duke kërkuar rrugëve të Tiranës ndonjë hallexhí, që nuk ka mundur i gjori t’i dalë zot vetes. Por Rama i vërtetë, ai dështaku i pashpresë, shfaqet në çastet, kur është i çliruar nga tmerri i ndëshkimit për mëkatet. Atëherë nis e ulërin si një ujk i plagosur, sa dhe socialistët fanatikë shqetësohen për shëndetin e tij. Nuk e thotë kot populli se atë që ta bën vetja, nuk ta bën kush. Sidomos, kur nuk ke as kohë të ndreqësh atë që mund të ndreqet. Megjithatë, Zoti i Madh nuk ia ka mbyllur njeriut mundësítë të ngrihet, edhe kur është rrëzuar. Ndoshta prandaj dhe Dostojevski klithte sinqerisht: “O Zot! Shpëtomë nga vetja ime!”. Gjithmonë lakmia për pushtet të pakufizuar është shndërruar në bumerang për autorin. Po dhe për forcën politike, që i ka besuar marrëzisë së tij! Ndoshta prandaj shumë socialistë po largohen prej Ramës si prej një mallkimi.