E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU, fushatë në Kashar: Pushteti lokal duhet të drejtohet me frymën e patriotizmit

27-04-2011 / Gazeta 55

Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi kërkoi nga Kashari votën e të gjithë shqiptarëve, si një barrierë për të parandaluar çdo veprim antikombëtar që tentohet të ndërmerret. Duke prezantuar kandidatët për anëtar të këshillit të kësaj komune, z. Idrizi theksoi se ka ardhur çasti që në zgjedhjet e 8 Majit, të votohet për partinë që ka mbrojtur interesat e kombit shqiptar sa herë që ato janë cenuar, në mënyrë që edhe pushteti lokal të drejtohet me frymën e patriotizmit.
“Ne e kemi treguar gjatë gjithë kësaj kohe se jemi partia e çështjes kombëtare, sepse ne i kemi thënë jo marrëveshjes së ujërave, i kemi thënë jo raportit të Dik Martit, i kemi thënë jo konsullit provokator grek dhe do vazhdojmë t’i themi jo çdo provokimi antishqiptar. Pushteti lokal duhet të drejtohet me të njëjtën frymë, me frymën e patriotizmit. Kandidatët tanë për këtë komunë dhe për të gjitha komunat e kanë këtë frymë, prandaj votoni PDIU-në, votoni partinë tuaj” – tha z. Idrizi.
Presidenti i Nderit i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Tahir Muhedini kërkoi votën e të gjithë banorëve të Kasharit, duke theksuar se PDIU e ka treguar se është partia e çështjes kombëtare. Sipas tij, sa më e fortë të dali PDIU pas këtyre zgjedhjeve, aq më shumë do t’i afrohet objektivit të saj, zgjidhjes së çështjes kombëtare dhe mbrojtjes së vlerave dhe identitetit shqiptar.
“Këto zgjedhje janë të rëndësishme, ka ardhur çasti që të votohet një parti kombëtare, që si objektiv ka ruajtjen e vlerave dhe identitetit të kombit shqiptar. Prandaj ju ftoj të gjithëve që më 8 maj, të votoni Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet” – tha z. Muhedini.
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet konkurron për anëtar të këshillit komunal në 98 për qind të vendit, me më shumë se 4500 kandidatë, përfshi pjesën dërrmuese të komunave të Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›