Projekti “Basha” - Tirana, një metropol evropian
Kryebashkiaku i ardhshëm i kryeqytetit prezanton tek një audiencë arkitektësh dhe urbanistësh vizionin e qeverisjes së ardhshme të Tiranës, i cili kalon përmes planit urbanistik që e shndërron atë në një metropol Europian
Kandidati për kryetar të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka paraqitur platformën e tij për zhvillimin urban të Kryeqytetit, në një takim me arkitektë dhe urbanistë, me pedagogë dhe studentë të arkitekturës dhe planifikimit urban. Në qendër të investimeve të mëdha infrastrukturore dhe fitimin e hapësirave publike, për Lulzim Bashën qëndron respekti për pronën private.
“Propozimi im është hartimi i planit urbanistik të Tiranës dhe paraqitja e tij, jo më vonë se shkurti i vitit 2012. Ky plan, do të harmonizojë këto interesa të zhvillimit; të individit më të thjeshtë, të vogëlushit, të prindit, deri tek interesat e zhvillimit të korporatave të mëdha, të punëdhënësve të mëdhenj të Tiranës. Unë propozoj bashkë-vendimmarrje totale me të gjithë qytetarët e Tiranës për miratimin e këtij plani. Bashkë-vendimmarrje, e cila në optikën time nuk ka pse të mos marrë edhe formën e një referendumi qytetar për planin e përfunduar sipas kritereve, parimeve bazë që sot udhëheqin plane të tilla në të gjithë Evropën. Me pjesëmarrjen e plotë, deri në këtë fazë, të gjithë ekspertëve, duke përfshirë të nderuar pedagogë, duke përfshirë të nderuar studentë, edhe mendimin tuaj në çdo fazë të hartimit. Në këtë plan, ne do të bëjmë realitet Tiranën evropiane që nis nga pragu i derës së çdo qytetari, dhe jo Tiranën që nis nga emra të ndryshëm evropianë që mund ti vendosim qendrës. Do të kemi një plan ku çdo lagje e Tiranës, çdo zonë e Tiranës, ka mundësinë të ketë qendrën e vet qytetare, do të ketë pra, jo vetëm qendër banimi, por do të ketë shkolla, kopshte dhe çerdhe. Do të ketë hapësira të mjaftueshme për rrugë të standardeve evropiane, përsa sa i përket dimensionit të këtyre rrugëve, sa i përket nëntokës së këtyre rrugëve, pra ujësjellës kanalizimeve, sa i përket trotuareve dhe ndriçimit. Do të ketë hapësira publike të mjaftueshme të gjelbra, hapësira publike për të ndërtuar qendra sociale për moshën e tretë, për të ndërtuar qendra multifunksionale për rininë. Që të bëjmë këtë, ne duhet patjetër të nisim menjëherë punën për infrastrukturën e munguar, Unazën e Madhe, si një domosdoshmëri për konektivitetin, për ndërlidhjen brenda qytetit të Tiranës, për të reduktuar trafikun, për të reduktuar koston e tij, karburantin, kohën e humbur, oportunitetet e humbura nga personat, mallrat dhe shërbimet. Paralelisht, në Unazën e madhe do të nisë puna për të gjithë sistemin kapilar të rrugëve, rrugët kryesore, rrugët sekondare, vend parkimet, rrjetin këmbësor, apo biçikletave, por edhe rrjetin e transportit publik të Tiranës. Dhe pjesë e rrjetit të transportit publik të Tiranës që sot është një gangrenë e vërtetë, do të jetë domosdoshmërisht tramvaji. Tramvaji në aksin Kinostudio-Kombinat do të jetë prioritet absolut i axhendës time që në vitin e parë, dhe pas kësaj, edhe të linjës Bregu i Lumit- Selitë. Dy janë parimet kryesore në këtë drejtim. E para, respekt i plotë për pronën private, për çdo centimetër katror të pronës private, dhe së dyti, rifitimi i hapësirave publike në mënyrë që të mos kemi më pallate ngjitur me njëri tjetrin, dhe hapësira të gjelbra që zhduken. Dy do të jenë parimet e trajtimit të pronës private; shpronësim me vlerë e tregut për ndërtimet e mëdha infrastrukturore siç është Unaza e Madhe dhe e dyta formula e transformimit të së drejtës së zhvillimit në hapësira të reja që do të krijohen ose brenda lagjeve, ose në arteriet e reja të zhvillimit që ne propozojmë, siç janë ato përgjatë lumit të Tiranës, apo në aksin e ri nga stacioni aktual i trenit tek Bregu i Lumit. Ne duhet menjëherë të nisim shumëfishimin e hapësirave të gjelbra, brenda lagjeve dhe në Tiranën metropolitane në tërësi dhe për këtë unë kamë propozuar krijimin e një mushkrie të re të Tiranës, dhe korridorin rekreativ të Tiranës, si dy ndërhyrje masive në ri-gjelbërimin e qytetit tonë. Për këtë, bashkëpunimi me komunat fqinje është i domosdoshëm dhe këtu shikoni të projektuar një prej ideve për liqenin e Paskuqanit, i cili ndodhet në vazhdim të korridorit Stacioni i Trenit-Bregu i Lumit. Do të kenë një investim publik që është Unaza e madhe, në të cilën ne po kështu, kemi futur dhe elementët rekreativë një kaskadë funksionale, një fashë e gjelbër, njësi shërbimi rekreative përgjatë shëtitores. Nëse ne i përvishemi punës, siç do ti përvishemi, për të ndërtuar Tiranën evropiane nga lagjet e Tiranës, nga nëntoka e këtyre lagjeve nga ujësjellës kanalizime, nga rrugët e reja, nga parqet, nga gjelbërimi, nga shkollat, kopshtet, çerdhet dhe krijimi i elementit qytetar në çdo cep të Tiranës, atëherë jemi në rrugë të mbarë dhe atëherë ju siguroj se nuk ka forcë të na ndalojë, siç nuk na ndaloi dot në rrugën Durrës-Kukës, siç nuk na ndaloi dot për vizat. Nuk ka forcë ta ndalojë këtë lloj zhvillimi të Tiranës”, u shpreh kandidati për kryebashkiak, Lulzim Basha. Po sot, gjatë një takimi me përfaqësues të biznesit, Basha ka shprehur angazhimin e tij për ngritjen e një parku për biznesin fason, ku përveçse do të prodhohet, edhe do të ekspozohen dhe shiten prodhimet shqiptare. Gjatë vizitës në një fabrikë fasone, e cila me hapjen e një linje të re parashikonte të punësonte rreth 60 punonjës, Basha tha se bashkia e drejtuar prej tij do të krijojë të gjitha lehtësirat në mënyrë që të nxitet biznesi dhe të ulen çmimet. Lehtësira të veçanta bashkia parashikon për gratë në marrëdhënie pune. “Ne do të krijojmë një park në Tiranë, si kudo tjetër tashmë në Ballkan, ku prodhohet por dhe ekspozohet prodhimi, dhe shitet prodhimi. Për gratë në marrëdhënie pune, do të ketë një marrëdhënie të veçantë. Duke filluar nga vera tjetër, bashkia do të financojë shkolla dhe kopshte verore për të gjithë fëmijët, nënat e të cilëve, janë në marrëdhënie pune. Do të shqyrtojmë një paketë stimuluese për gratë në marrëdhënie pune, në mënyrë që nëpërmjet tarifave të reduktuara, shërbimeve ekstra, t’u vihet atyre sadopak në ndihmë. Ky qytet ka nevojë imediate, të menjëhershme për punësim dhe unë si kryebashkiak angazhohem ta bëj punësimin prioritetin tim numër 1. Unë uroj që kjo linjë që hapet sot, hapja e 50-60 vendeve të reja pune, të jetë fillimi i diçkaje që do të ndodhë në të gjithë qytetin. Unë do të përpiqem me mish e me shpirt të punoj për ju, për fëmijët tuaj, për burrat tuaj dhe për qytetin, dhe do të merrem vetëm me këtë punë”- tha Lulzim Basha.