E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politika e fqinjit të keq Vladimir Putin

03-09-2012 / Nga Anders Aslund

Politikat e Kremlinit në hapësirën postsovjetike kanë pak kuptim, për shkak se Rusia nuk fiton gjë. Me sa duket, Putini shpreson të nxitë ndjenjën nacionaliste për të forcuar pushtetin e vet të dobësuar në shtëpi. Problemi më i madh për të është se rusët mund të mashtrohen gjithnjë e më pak

Rusia e ka shfaqur veten si një dëmtues i çështjeve ndërkombëtare, me mbështetjen e zjarrtë që ka treguar për presidentin e Sirisë, Bashar al-Assad. Dallimi nga politikat e saj beninje karshi Libisë në vitin 2011 reflekton se si politikat e jashtme të Rusisë kanë ndryshuar me kthimin e Vladimir Putinit në Kremlin. Të paktën për sa u përket politikave të jashtme, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, kishte më shumë rëndësi sesa mendohej përgjithësisht. Rusia e ka vazhduar politikën e saj agresive antiamerikane të viteve 2007-2008, e cila kulmoi me luftën në Gjeorgji në gusht të vitit 2008. Në mënyrë ironike, kjo armiqësi dëmton më së shumti vetë Rusinë, për shkak se i tjetërson të gjithë përveçse të kundërshtuarit në nivel ndërkombëtar, si Siria, Venezuela dhe Bjellorusia. Madje edhe nga ish-Bashkimi Sovjetik, pothuajse të gjitha shtetet kërkojnë tregti dhe siguri nga të gjithë të tjerët, përveç Rusisë, për shkak se Putini po i përdor të gjithë shkopinjtë dhe asnjë karotë. Tri instrumentet kryesore politike të tij karshi shteteve postsovjetike janë unioni doganor i imponuar nga “Unioni Euroaziatik” i propozuar nga vetë ai, “Gazpromi” dhe “Organizata e Marrëveshjes Kolektive të Sigurisë” (CSTO). Secila prej tyre i frikëson fqinjët e Rusisë, ndërsa nuk u sjell asnjë përfitim, duke i bërë që të kenë edhe më pak arsye për të bashkëpunuar me Rusinë. Aktualisht prioritet kryesor i Putinit është që të bindë sa më shumë shtete që të jetë e mundur që t’i bashkohen unionit doganor, por deri më tash vetëm Bjellorusia dhe Kazakistani kanë pranuar. Bjellorusia vendosi një çmim të lartë, duke kërkuar një pako shpëtimi prej hiç më pak se 20 miliardë dollarësh vitin e kaluar, ndërsa gjeografia e dënon Kazakistanin që të mbahet gjithnjë me Rusinë. Mirëpo shtetet e tjera postsovjetike rezistojnë, për shkak se një union doganor me Rusinë do t’i detyronte ato që të rrisin tarifat e importit, duke e penguar tregtimin me shtetet e tjera. Sikur Rusia ta kishte seriozisht me integrimin ekonomik, atëherë do të promovonte marrëveshje të tregtisë së lirë për ta lehtësuar tregtinë në të gjitha drejtimet. Në të vërtetë, në tetor të vitit 2011, Rusia inicioi një marrëveshje të tillë multilaterale të tregtisë së lirë në hapësirat e dikurshme sovjetike, mirëpo, për shkak të veprimeve vetjake të Kremlinit për unionin doganor, vetëm Bjellorusia dhe Ukraina e ratifikuan atë, duke e vënë në dyshim besueshmërinë e saj. Kundërshtimi i shteteve të Azisë Qendrore për një union doganor me Rusinë reflekton tregtinë gjithnjë e më të madhe që ato bëjnë me Kinën. Në Evropë, Moldavia, Ukraina dhe shtetet e Kaukazit preferojnë marrëveshjet e tregtisë së lirë me Bashkimin Evropian, të cilat unioni doganor do t’i parandalonte. Për më tepër, unioni doganor ia bën Rusisë pothuajse të pamundur arritjen e marrëveshjes së tregtisë së lirë me BE-në. Ndërkohë, “Gazpromi”, një prej instrumenteve kryesore të politikave të Jashtme të Rusisë, mbase është korporata më keq e menaxhuar në të gjithë botën. Vitin e kaluar, bankierë të investimeve vlerësuan humbjet e saj nga shpenzimet e tepruara dhe korrupsioni të kapin shifrën prej hiç më pak se 40 miliard dollarësh – një shkallë kjo që ka bërë që çmimi i aksioneve të saj të shënojnë rënie rekorde. Politika e “Gazpromit” është që të kërcënojë shtetet kliente me çmime të larta dhe ndërprerje furnizimi derisa të sigurojë kontroll të plotë mbi të gjithë sistemin e gazsjellësve. Putini e ka udhëhequr kompaninë me një grusht të çeliktë, si kur ishte president ashtu edhe kryeministër. Keqmenaxhimi nuk është ekskluzivisht vetëm financiar. Në fillim të vitit 2009, kur “Gazpromi” nuk mund të shiste të gjithë gazin e vet në Evropë për shkak të Depresionit të Madh, zgjodhi që të shkurtonte furnizimet e saj nga Azia Qendrore. Këtë gjë e bëri papritmas dhe pa paralajmërim, duke shkaktuar eksplodimin e naftësjellësit nga Turkmenistani. Pasi turkmenët e riparuan naftësjellësin, “Gazpromi” nuk i mbajti çmimet e vjetra. Sot, Turkmenistani refuzon të bashkëpunojë me Rusinë. E siguron pjesën më të madhe të gazit të vetë nëpërmjet një naftësjellësi të ri në Kinë, siç bëjnë edhe Kazakistani dhe Uzbekistani. Si rezultat i kësaj, Rusia ka humbur qasjen e vet në gazin e lirë të Azisë Qendrore, si dhe në tregun kinez. “Gazpromi” e ka zhvilluar betejën e saj më publike me Ukrainën, duke insistuar në çmime që janë 50 për qind më të larta se sa ato që konsumatorët e saj në BE i paguajnë. Përveç kësaj, “Gazpromi” po e devijon gjithnjë e më shumë gazin e vet të transportuar nëpërmjet Ukrainës për në Evropë në naftësjellësin e “Rrjedhës Veriore”, me planet për ta rrethuar vendin edhe më shumë kur “Rrjedha e propozuar Jugore” të kompletohet në vitin 2015. Qeveria aktuale e Ukrainës do t’ia dorëzonte me vetë dëshirë gjysmën e sistemit të saj të naftësjellësit “Gazpromit”, në këmbim me çmimet më të ulëta të gazit, mirëpo Putin kërkon që edhe Ukraina ti bashkohet unionit doganor. Në korrik, Putin shkoi në Ukrainë për t’i diskutuar këto çështje me presidentin, Viktor Yanukovych. Sidoqoftë, gjatë udhëtimit për në Krime, Putin hasi në një bandë motoçiklistësh famëkeq të nacionalistëve rusë, pjesëtarët e të cilës kërkojnë që Krimeja t’i transferohet Rusisë. Putin shpenzoi aq shumë kohë me motoçiklistët sa që arriti me katër orë vonesë në takimin e caktuar me Yanukovychin, i cili më pas u shkurtua të zgjasë vetëm 20 minuta. Putin e ofendoi edhe më shumë homologun e tij pasi bashkëbisedoi më shumë me ndihmësit e tij se sa me vetë Yanukovychin. Nën rrethana të tilla, madje as Yanukovych, i cili qeveris në një mënyrë putineske, nuk mund të jetë pro-rus. Pasi që Rusia nuk i ofron gjë Ukrainës, Ukraina ka minimizuar blerjet e gazit nga Rusia dhe ka ulur të gjitha marrëdhëniet e tjera bilaterale me të. Moldavia është në një situatë të ngjashme. Edhe pse ia dorëzoi kontrollin e naftësjellësve të saj “Gazpromit”, vendi është ende ngarkohet me një çmim të tepruar në këmbim të kërkesave ruse për tu bashkuar, po ashtu, në unionin doganor. Nuk është aspak befasi se Moldavia, një prej shteteve më demokratike të ish-bllokut sovjetik, dëshiron marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, me qëllim të ikjes nga teket e politikave të Putinit. Që nga viti 1992, Rusia është përpjekur të ndërtojnë mjetin tjetër kryesor të politikave të saj të jashtme, CSTO-në, si një alternativë ndaj NATO-s, mirëpo edhe pse kanë kaluar vite të tëra ajo ka vetëm gjashtë shtete anëtare – Rusinë dhe aleatet e saj më të afërta, Bjellorusinë dhe Kazakistanin, plus tri shtete të varfra dhe të pasigurta (Armenia, Kirgizia dhe Taxhikistani). Më 2006, Kremlini e bindi Uzbekistanin që të bashkohet, mirëpo, pasi Putini e vizitoi Tashkentin në fillim të qershorit, presidenti, Islam Karimov, suspendoi anëtarësimin e shtetit të tij. SCTO-ja mbetet një aleancë në letër pa ndonjë rëndësi ushtarake. Shtetet më të lumtura të ish-Bashkimit Sovjetik janë Estonia, Letonia dhe Lituania, që të gjitha me kontakte të minimizuara me Rusinë në vitin 1992 dhe të anëtarësuara si në BE ashtu edhe në NATO më 2004. Pas luftës me Rusinë në vitin 2008, Gjeorgjia vendosi që të braktisë Commonwealthin e dominuar nga Rusia të Shteteve të Pavarura. Azerbajxhani, Turkmenistani dhe Uzbekistani i bojkotojnë rregullisht samitet e pakuptimta vjetore të Commonwealthit të Shteteve të Pavarura (CIS). Për edhe sa kohë ato do ta marrin mundin që të mbesin anëtare? Politikat e Kremlinit në hapësirën post-sovjetike kanë pak kuptim, për shkak se Rusia nuk fiton gjë. Me sa duket, Putin shpreson të nxit ndjenjën nacionaliste për të forcuar pushtetin e vet të dobësuar në shtëpi. Problemi më i madh për të është se rusët mund të mashtrohen gjithnjë e më pak. 

Autori është një anëtar i lartë i Institutit “Peterson” për Ekonomi Ndërkombëtare, autor i librit: “E fundit të jetë e para: Kriza financiare e Evropës Lindore 2008-2010”
Marrë nga “Project Syndicate”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›