Rama, letër Daul e Schulz: Mos u tërhiqni nga marrëveshja

Një ditë përpara se përfaqësuesit e Parlamentit Europian të mbërrijnë në Shqipëri, ndoshta për një raund të ri ndërmjetësimi, kreu socialist, Edi Rama, ka bërë një lëvizje që synon adresimin e përgjegjësive për krizën mbi Kryeministrin Sali Berisha. Në një letër dërguar Joseph Daul, president i grupit të PPE në Parlamentin Europian dhe Martin Schulz, president i grupit të PES; Edi Rama, ka riargumentuar pozicionin opozitar të mbajtur gjatë negociatave të deritanishme, duke nënvizuar vullnetin për kompromis të dëshmuar edhe në 3 javët e shkuara. Më tej ai ka zbuluar edhe disa “detaje” nga bisedimet e zhvilluara, duke bërë të ditur se selia rozë ka lënë pas sugjerimet e hedhura në darkën e Strasburgut, për të pranuar opsione të konsideruara si të papranueshme më parë. “Nuk dyshoj se përfaqësuesit tuaj në tryezën e bisedimeve ju kanë informuar hollësisht për ecurinë e tyre dhe ju kanë treguar për hapat që opozita ka hedhur drejt zgjidhjes... Opozita ka lëvizur cilësisht në kërkim të zgjidhjes, duke shkuar edhe përtej ofertës që ne vetë bëmë në darkën e Strasburgut. Në fund të bisedimeve që pasuan, ne e pranuam pa ngurrim edhe atë që për ne ishte e pamundur atë darkë, ndërsa pala tjetër e refuzoi kategorikisht, siç refuzon tash 10 muaj çdo zgjidhje që garanton transparencën e kushtetutshmërinë”, thuhet në letrën e Edi Ramës për dy drejtuesit e së majtës dhe së djathtës parlamentare europiane. Ky komunikim zyrtar i selisë rozë me ndërmjetësuesit e Strasburgut i paraprin ndërkohë edhe një ngjarjeje tjetër që pritet të përcaktojë shumëçka në ecurinë e procesit të integrimit. Kështu, nesër Parlamenti Europian ka parashikuar miratimin e një rezolute ku do të shprehet mendimi për progresin e bërë në kuadër të statusit për vendin kandidat. Ndëshkimi i mundshëm për Shqipërinë është paralajmëruar edhe nga përmbajtja e draft-rezolutës së Nicholas Chountis, nëntekstin e së cilës Rama e ka pranuar teksa në letër përmend edhe kriteret e Kopenhagës. “Sot Shqipërisë i duhet me patjetër një zgjidhje për të hapur rrugën e integrimit, duke përmbushur denjësisht kriterin e Kopenhagës dhe duke lënë pas një krizë që nuk mund të mbulohet pa u zgjidhur”, shprehet kreu i PS-së. Kriteri politik që lidhet me funksionimin e demokracisë dhe institucioneve duket se është perceptuar nga opozita si një moment që mund “të ngrijë” integrimin, i cili varet në një masë të madhe nga angazhimi i vetë vendit kandidat. Për daljen nga kjo situatë, Rama ka pranuar si të domosdoshëm ndërmjetësimin ndërkombëtar, përballë një shumice që refuzon të pranojë kompromis edhe nën presion. “Kjo letër falënderimi e mirënjohjeje për interesimin tuaj të veçantë ndaj Shqipërisë, është në të njëjtën kohë edhe një lutje për të mos hequr dorë nga nisma juaj shpresëdhënëse, pavarësisht përfundimit negativ të përpjekjes së parë”, vijon Edi Rama në letrën e tij. Paralajmërim dhe kërkesa për ndërmjetësim; mbi këto dy elementë selia rozë ka ndërtuar përgjatë gjithë këtyre ditëve fushatën e pasnegociatave, duke bërë prezent para opinionit mundësinë e bllokimit të integrimit. Ballafaqimi për transparencën e zgjedhjeve, i zgjatur në kohë dhe me një zbehje të aktualitetit të vet, rrezikon të tërheqë vëmendjen e qytetarëve pikërisht për shkak të një ndëshkimi. Në këtë kuptim reagimet e fundit të PS-së i mëshojnë faktit se fatura për këtë duhet kërkuar te qeveria dhe Kryeministri, si përgjegjës kryesorë të situatës së krijuar.
#