E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e financimit, 3 javë kohë për shqyrtim

Universitetet publike do të shqyrtojnë mundësitë dhe do t’i paraqesin me shkrim. Senati i UT-së mblidhet të premten

Projekti për reformën e financimit të arsimit të lartë, në universitetet publike e në ato private, do të marrë formën e duhur të një draft propozimi të plotë, fill pas tri javësh.

Askush nga drejtuesit e universiteteve jo private nuk do të shprehet publikisht për sa i takon mendimit kritik lidhur me reformën e paraqitur nga Kryeministri dhe ministri i Arsimit për financimin e universiteteve private. Kështu, sipas profesorateve, është lënë tri javë kohë për të diskutuar mes specialistësh të ekonomisë, fushave sociale, por edhe më gjerë projekti i reformës së financimit të arsimit të lartë. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Rektorëve është lënë si detyrë shtëpie përcaktimi i propozimeve konkrete e të argumentuara, në mënyrë që propozimet e universiteteve publike të Shqipërisë të mbërrijnë për diskutim pranë grupit të punës, ngritur enkas për qëllimin e përcaktimit të politikave orientuese për financimin e universiteteve publike apo shtetërore. Maksimumi që mund të shtyhet afati i propozimeve dhe mbledhjeve të mendimeve e sugjerimeve të universiteteve publike, por edhe atyre private mund të jetë vetëm një javë, pas afatit 3-javor, tashmë të përcaktuar.

Propozimet

Sugjerimet, mund të jenë të plota dhe të rëndësisë së lartë, nga vetë universitetet, pasi sipas rektorëve në universitetet në vend nuk mungojnë as specialistët dhe as personat të cilët mund të japin ide të vyera dhe me interes publik.

Sipas Universitetit të Tiranës, pritet që ditën e premte të mblidhet senati. Do të jetë pikërisht ky takim që do të mbledhje për diskutime anëtarët e senatit edhe për çështje si reforma e financimit të arsimit të lartë, por edhe projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Ajo që mund të thuhet me siguri është që qëndrimi i universiteteve publike lidhur me propozimet e publikuara në konferencën e fundit të rektorëve, do të jetë i konsoliduar, i unifikuar dhe mbi të gjitha zyrtar e i shkruar, e zezë mbi të bardhë. Ndërsa grupi i punës, i mbledhur për t’u kujdesur veçanërisht për financimin në institucionet e arsimit të lartë, është takuar një herë dhe pritet që mbledhjet e tyre të jenë më të shpeshta pas ngritjes së nivelit të diskutimit më gjerë dhe në distancë.

Reforma

Për çështjen e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, publike apo private, grupi i punës ka paraqitur një draft tek i cili shpjegohet fije e për pe, mënyra e financimit në shtet dhe në privat. Kryesorja në këtë draft është kuptoni i edukimit. Nëpërmjet këtij kuponi, studentët do të zgjedhin nëse duhet të vazhdojnë studimet në universitet privat apo shtetëror; nëse do të duan të qëndrojnë në një filial universitar pranë qytetit të banimit, apo nëse do të vijnë në Tiranë. Kjo reformë pritet të ulë hendekun e lartë të çmimeve që paguajnë universitetet private në krahasim me ata publikë, por mund të shkaktojë edhe probleme sociale për të gjitha ato familje që nuk kanë mundësi të paguajnë diferencën e çmimit për të përzgjedhur një universitet cilësor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›