E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negociatat për Kosovën në shtator?

Marrëveshja duhet të arrihet para se Serbia të anëtarësohet në BE, sepse askush nuk dëshiron “konflikte të reja të ngrira”

Reputacioni i përmirësuar i Serbisë, gatishmëria e të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar, si dhe dëshira e BE-së se një rajon i qëndrueshëm mund të bëhet pjesë e saj integruese, në mënyrë të pashmangshme do ta sjellin Prishtinën dhe Beogradin në një tavolinë. Negociatat për statusin e Kosovës mund të fillojnë në shtator, menjëherë pas shpalljes së pritshme të vendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, që pritet të shpallet më 22 korrik. Marrëveshja duhet të arrihet para se Serbia të anëtarësohet në BE, sepse askush nuk dëshiron “konflikte të reja të ngrira”, transmeton “Zëri” një shkrim të gazetës serbe “Blic”, e cila iu referohet burimeve të saj të “mirinformuara”.
“Pas mendimit të dhënë nga GJND-ja mbi pavarësinë e Kosovës, nuk pres ndonjë lëvizje radikale as në favor të Prishtinës e as në favor të Beogradit, por pres që dëshirat e Beogradit dhe Prishtinës të jenë të menduara tërësisht për një përpjekje për të arritur një kompromis. Natyrisht që ky duhet të jetë një proces. Besoj se faktori përgjegjës ndërkombëtar e kupton se të dyja palët duhet të fitojnë e të humbin diçka nëse dilet nga një konflikt i ngrirë”, thotë Sonja Licht, presidente e Këshillit të
Politikës së Jashtme në Ministrinë e Jashtme serbe, për gazetën “Blic”.
“Vendet që e kanë njohur Kosovën nuk do ta ndërrojnë qëndrimin e tyre. Mirëpo është e vërtetë që një numër shumë i madh i shteteve nuk e kanë njohur Kosovën, përfshi edhe pesë shtete të BE-së. Nga ana tjetër, BE-ja dëshiron që i tërë Ballkani Perëndimor të integrohet”, sqaron Licht.
Sipas fjalëve të saj, qëndrimi i BE-së karshi rajonit duhet të varet në masë të madhe nga mënyra se si vepron rajoni. Licht insiston se asocimi i Serbisë me BE-në dhe Kosovën kurrë nuk ka qenë i ndarë në kuptimin e stabilizimit të rajonit.
Piero Fassino, deputet në Parlamentin italian, me nismën e të cilit është miratuar një deklaratë që udhëzon ministrin e Jashtëm italian, Franco Frattini, që të sugjerojë një plan për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, ka thënë për “Blic” se BE-ja duhet ta nxisë Prishtinën dhe Beogradin të kthehen në tavolinën e negociatave në përpjekje për të gjetur një marrëveshje pas vendimit të GJND-së.
“Një marrëveshje duhet gjetur. Shpresoj që BE-ja t’i japë statusin e kandidatit Serbisë sa më shpejt që të jetë e mundur meqë kjo do të ishte dëshmi se Brukseli vërtet e dëshiron integrimin e të gjithë Ballkanit”, thotë Fassino.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›