LSI-ja, sinjale pozitive ndaj letrës së Ramës
Vonesat në zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, vdekja e dëshmitarit kyç të trafikut të armëve në Shqipëri, Kosta Trebicka, ligji për Prokurorinë dhe tentativat e Berishës për të bllokuar hetimet, duket se kanë shuar situatën konfliktuale brenda partive të majta. Tashmë marrëdhëniet konfliktuale midis PS-së dhe LSI-së kanë kaluar në plan të dytë, dhe dy partitë kryesore të opozitës janë më afër se kurrë bashkëpunimit të ngushtë midis tyre ndaj qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Si PS-ja, ashtu edhe LSI-j kanë shprehur kohët e fundit të njëjtat shqetësime. Në deklaratat e Ramës dhe Metës është denoncuar pengesa e hetimeve, vdekja e Trebickës është cilësuar e dyshimtë, është kontestuar ligji për prokurorinë, ndërsa po me të njëjtët forcë është kërkuar dorëheqja e kryeministrit Berisha. Tashmë edhe pas letrës së dërguar nga kryetari i PS-së Edi Rama, sinjalet janë mëse pozitive. Burime nga LSI-ja bëjnë të ditur se letra e kreut të selisë rozë është pritur me interes. Gjithsesi, burimet nga kjo parti thanë se ende nuk janë njohur zyrtarisht me përmbajtjen e saj, por vetëm në mënyrë mediatike. Ato shtuan se vetëm ditën e sotme do të ketë një përgjigje zyrtare ndaj letrës që Rama i ka dërguar kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Mësohet gjithashtu se e njëjta letër u është dërguar edhe kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi, kreut të PDS-së Paskal Milo dhe kreut të PAD-së Neritan Ceka, ku sinjalet kanë qenë pozitive. Sipas të gjitha gjasave, ditën e mërkurë, në hotel “Sheraton”, pritet takimi i parë i liderëve të opozitës, që nga koha e shpërthimit të konflikteve midis tyre.
16 Shtator 2008