E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Topallit për Ndërtimoren: Pr/Ligji, kundër Kushtetutës

TIRANË- Vetëm pak ditë pasi qeveria vendosë të shtojë kompetencat e Inspektoriatit të Ndërtimit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama i është drejtuar me një letër Kuvendit dhe Qeverisë.

Sipas Ramës, propozimet e fundit të qeverisë në ligjin për Inspektoriatin e Ndërtimit kanë papajtueshmëri ligjore dhe kushtetuese.

Në letrën e dërguar Rama rendit gjithë problemet që paraqiten me ndryshimet e fundit, që nga rritja e kompetencave të Inspektoriatit Kombëtar të Ndërtimit brenda territorit të njësive vendore dhe pa vendim gjykate, që sipas tij, është në kundërshtim të hapur, jo vetëm me parimet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, por edhe me vendimeve specifike të marra më parë nga Gjykata Kushtetuese. Një gjë e tillë sipas Ramës përbën regres në reformën e decentralizimit dhe cenon hapur autonominë vendore.

Sipas Ramës, me një vendim të tillë, kur Inspektoriati merr atribute vendore lindin shanset për konflikt të hapur kompetencash e bashkë me këtë edhe pasiguri tek qytetarët.

"Propozimet e qeverisë janë në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës nëpërmjet parimit të ligjshmërisë dhe atij të sigurisë juridike, të sanksionuara në nenin 4 të Kushtetutës"- thuhet në letër.

Rama kujton në letër rastin e mbikalimit te Zogu i Zi, kur Ndërtimorja vendosi shembjen, por më pas gjykata i dha të drejtë bashkisë. Sipas Ramës, nuk mund të zbatohet ligjshmëria në mënyrë kontradiktore(në të njëjtën kohë) nga dy organe, edhe Inspektoriati Vendor i Ndërtimit dhe ai qendror i varur prej qeverisë.

Në fund të letrës, duke i konsideruar propozimet e qeverisë shkelje të hapura, flagrante e të përsëritura të normave e parimeve të shtetit të së drejtës, që bien ndesh me Kushtetutën, ai kërkon që Kuvendi të mos i miratojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›