Berisha, 'Qytetar Nderi' i Kamzës. Këshilltarët socialistë: S'e votuam
TIRANË- Këshilltarët socialistë të Bashkisë së Kamzës kanë deklaruar sot se nuk kanë votuar për shpalljen e Sali Berishës, qytetar nderi të kësaj bashkie.
Me një deklaratë të përbashkët, këshilltarët Ilirjan Ismaili, Idriz Cara, Aqif Pjeqi e Shefqet Keçi theksojnë se në mbledhjen për shpalljen e tij Qytetar Nderi nuk është votuar unanimisht.
"Është një mashtrim absurd i opinionit publik! Është oksigjen nderi për atë që po i mbaron! Ne, këshilltarët socialistë të Kamzës, jo vetëm që nuk kemi votuar për këtë titull, por edhe e quajmë të turpshme që të votojmë një gjë të tillë për kryeministrin e Gërdecit, për kryeministrin e tunelit të vjedhur e të shembur, për varfëruesin e Kamzës e të gjithë Shqipërisë, për manipulatorin e paskrupullt të votave të shqiptarëve"- thuhet në deklaratë. Madje, sipas tyre, gjithë socialistët dhe progresistët e Kamzës, votojmë vetëm një gjë: largimin e Berishës.
Shpallja e Berishës, "Qytetar Nderi" u mor dje me vendimin e këshillit bashkiak të Kamzës, sipas të cilit, ky titull i akordohet zotit Berisha për kontributin e tij në zhvillimet demokratike gjatë 19 viteve në Shqipëri, si dhe për angazhimin e veçantë që Kryeministri ka treguar dhe po tregon për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Bashkisë së Kamzës dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve të saj.
Po dje, kreu i bashkisë, Xhelal Mziu ka theksuar se për këtë titull ëhstë votuar në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e këshillit.