Rama mbyll fushatën në Tiranë: Legalizime falas
Mesazhi i Ramës: Më 23 qershor, zgjidhni mes rrënimit dhe rilindjes
Partia Socialiste mbylli mbrëmjen e djeshme fushatën e saj elektorale në qarkun e Tiranës. Në podiumin e veçantë të ndërtuar në mes të sheshit Nënë Tereza, 32 kandidatët e PS-së për qarkun e Tiranës kanë përcjellë mesazhin e tyre për këtë fushatë elektorale. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një fjalim i cili zgjati afërsisht 30 minuta prezantoi pikat kryesore të programit të socialistëve.
Mitingu
Duke ju referuar të pranishmëve në mitingun e PS-së, Rama tha se ky është një miting me vendalinj dhe një miting me robër të mbledhur nëpër autobusa. Ky është miting safi me vendalinj safi dhe jo miting me robër të mbledhur nëpër autobusë. Pastaj ju e dini ne një autobus kemi, vetëm autobusin mavi. Gjithë autobusët e tjerë i ka mbledhur katragjyshi me antiplumb, për ti mbushur me njerëz si të gjithë ju, që marrin një rrogë nga taksat e të gjithëve ne dhe që një katragjysh i marrë fund i mban peng lidhur me bukën e gojës, tha Rama.
Mesazhi
Në vijim të fjalës së tij, Rama iu referua një mesazhi të dërguar nga kryeministri Berisha në telefonin e tij. Sot (dje) paradite katragjyshi më çoi dhe mua një sms, ju ftoj të votoni 44. Por nuk ka më, kush kujton 44 voton 29. Votoni thotë projektin e PD-së që të hapim 250 mijë vende pune. Pse si hape po i mbylle, aty ishte, ku i ke? Votoni thotë që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që ata që jetojnë me pagë minimale sot kanë një pyetje, si të mbërrijnë në fund të muajit dhe si ti paguajnë listat e borxheve. Këto nuk i ha më njeri, ashtu siç nuk i ha askush premtimet për trefishimin e granteve për fermerët. Thotë japim tapitë për 6 muaj, pse nuk i dhe për 20 e kusur vite, deklaroi Rama.
Premtimi
Edi Rama premtoi se brenda mandatit të parë të qeverisë socialiste do të japë legalizimet për të gjitha banesat e ndërtuara në kryeqytet. Brenda mandatit të parë të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre duke ardhur nga veriu dhe nga jugu për një jetë më të mirë do të kenë në dorë titullin e pronësisë së patundshme për pronën e tyre. Të gjithë ata që jetojnë me punën e tokës dhe që prej 20 vitesh po presin të marrin certifikatën e tokës, do ta kenë në dorë këtë dokument, premtoi Rama.
Mesazhi
Zgjedhjet e pas dy ditëve, kreu i opozitës i cilësoi jo si zgjedhje mes personave apo partive, por si zgjedhje mes rrënimit dhe rilindjes, si zgjedhje mes përçarjes e urrejtjes dhe bashkimit e solidaritetit. Në fund të fjalës së tij, kreu i PS iu drejtua mbështetësve në këtë tubim duke thënë se, zotohem se me votën tuaj, ju kryeqytetas, pavarësisht prejardhjes krahinore, përkatësisë partiake dhe asaj fetare, do të keni në krah një qeveri që, hallet tuaja do ti bëjë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo përpjekje për ti zgjidhur hallet dhe problemet tuaja.
Rama: Do festohet kur të mbarojë i gjithë procesi
Para fillimit të mitingut të madh të mbylljes së fushatës elektorale në Tiranë, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi një takim me banorë të Njësisë Nr. 1. Ai u kërkoi atyre që fitoren ta festojnë vetëm kur të përfundojë i gjithë procesi dhe kur gjithçka të ketë marrë fund. Rama tha se u kanë mbetur edhe dy ditë robëri mësuesve, nëpunësve dhe infermierëve. Kryesocialisti ftoi që të marrin pjesë në mitingun përmbyllës në Tiranë të gjithë qytetarët e qarkut të Tiranës.Ata që janë në punë të mos e çajnë kokën fare, sepse nuk ka më kohë për ti hequr nga puna, megjithëse ne e konsiderojmë medalje. Kush është në punë më meritë, do të qëndrojë në punë edhe pas 23 qershorit, u shpreh Edi Rama.
Rama në Twitter: Tirana ndezi zjarrin e fitores
Në përfundim të mitingut, kryesocialisti Rama shkroi në rrjetin social Twitter: E paparë Tirana, ime Tirana jonë, Tirana e të gjithë tiranasve të vjetër e të rinj, kurrë nuk do ta harroj këtë zjarr të fitores ndezur sot!
Pandeli Majko
Mirëserdhët në amfiteatrin e historisë. Edhe 2 ditë, edhe 2 ditë dhe masa e madhe e popullit shqiptar për ndryshim do të derdhet drejt kutive të votimit për të votuar 29-n tonë të dytë në histori. Ata e dinë mirë se nuk mundën ta blejnë votën. Do vijnë të trokasin të premten e të shtunën me pyetjen a do na jepni votën dhe përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. Ata do tju drejtohen me pyetjen, a do na jepni votën dhe do ta marrin përgjigjen. Ta dinë të gjithë se vota e shqiptarit nuk është votë skllevërish që shiten. Nuk do të kalojmë një rend skllavopronar. Një përshëndetje për Prishtinën, Kosovën, Shkupin, për të gjithë emigrantët tanë dhe i ftoj që të vijnë për të votuar historinë. Edhe 2 ditë, ne do ti drejtohemi kutive të votimit, për të vendosur kryqin mbi udhëkryqin,që është udhëkryqi i të ardhmes së fëmijëve tanë për Shqipërinë. 29-ta është më shumë se një numër. 29 është një histori, është fundi i ndarjes ne dhe ata, është ndryshimi, shpresa, është ëndrra.