Rama, me dru kundër reformës zgjedhore, pasi i trembet humbjes së 2013-s
Dy ditë para mbylljes së punimeve të Komisionit për Reformën Zgjedhore, Edi Rama ka ngritur një barrikadë kundër konsensusit për rekomandimet e ODIHR-it, pasi i trembet legjitimimit të humbjes në zgjedhjet e 2013-s. Ai refuzon të njohë rekomandimin ndërkombëtar për numërimin elektronik, ndërkohë që ka paralizuar dialogun për përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të KQZ-së
Kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga përfundimi i mandatit të komisionit të reformës zgjedhore, Partia Socialiste po vë në jetë çdo mekanizëm të mundshëm, për të prapësuar reformën, përtej kërkesës së Bashkimit Evropian. Pinjolli i nomenklaturës, sikurse demonstroi edhe në fillim të këtij viti me kërcënime për bllokimin e ligjeve me 3/5, të njëjtin instrument, atë të “drurit mes këmbëve”, po aplikon edhe ndaj ligjit elektoral. Rekomandimi i katërt i Komisionit Evropian, që është pikërisht reformimi i Kodit Zgjedhor, ka gjasa që të mbetet peng i tekave politike të kasnecëve të opozitës.
Pasi tentuan ta fusin nën-rrogoz 10 ditë më parë me propozime absurde dhe eunuke, si ai i hapjes së kutive të votimit me një të rënë lapsit edhe pa qenë nevoja e ankimimit me prova, dy ditë më parë ODIHR rrëzoi një tjetër propozim të të majtëve, që është i numërimit elektronik. Koha e pamjaftueshme e përshtatjes së teknologjisë dhe risqeve që lidhen ne rakordimin e votës, bënë që misioni i ODIHR të kërkojë përmes ekspertëve të tij, rrëzimin e nenit.
Partia Demokratike nuk ishte shprehur kundër numërimit elektronik, por thjesht sa kishte shprehur “Ok”-in për aplikimin e kësaj metode votimi që gjatë zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, nisur nga garancia që mazhoranca i ofron opozitës për vërtetësinë e zgjedhjeve.
Këto propozime të Partisë Socialiste, të cilat u miratuan me konsensusin e Partisë Demokratike pak ditë më parë, u cilësuan nga ekspertët e ODIHR-it si të nxituara, të pasigurta dhe të paqëndrueshme. Ekspertët e ODIHR-it shprehën mendimin se përdorimi i teknologjive në zgjedhjet e vitit 2013 është i parealizueshëm menjëherë në të gjithë vendin dhe se për shkak të paqartësive ai nuk rrit besimin tek procesi zgjedhor.
Edhe pse, sot ky nen konsiderohet i djegur, komisioni i reformës zgjedhore s’ka rënë dakord as për një pikë tjetër, pjesë e rekomandimeve të ODIHR. Bëhet fjalë për rikompozimin e komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku PS po bën zvarritjen e radhës, vetëm dy ditë para përfundimit të mandatit të komisionit.
Në takimin me ekspertët e ODIHR-it, Partia Socialiste ka propozuar të ndryshohet vetëm mënyra se nga propozohet anëtari i shtatë i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke lënë të pandryshuar formulën aktuale të propozimit nga partitë të 6 anëtarëve të tjerë që i përkasin 3 qeverisë dhe 3 opozitës. I shtati, ai që përcakton se kush do të ketë shumicën në KQZ, sipas Partisë Socialiste nuk duhet të propozohet më nga partitë, por nga 4 organizma: Avokati i Popullit, Gjykata e Lartë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Dhoma e Avokatëve, sipas propozimit të Partisë Socialiste legjitimohen t’i çojnë Parlamentit nga dy kandidatë, pra 8 gjithsej dhe pasi partitë e mëdha të zgjedhin vetëm dy prej tyre, ata të hidhen për votim në Parlament.
Partia Demokratike nuk ka një propozim të vetin sepse deri tani ia ka lënë socialistëve sjelljen e formulimeve për ndryshimin e Kodit. Por këtë propozim ata e kanë cilësuar si të papranueshëm dhe që nuk sjell risi për rritjen e besueshmërisë te KQZ-ja.
Bisedimet janë mbyllur pa asnjë kompromis dhe ekspertët e ODIHR-it që kanë dëgjuar palët nuk kanë mbajtur një qëndrim sesi mund të zbatohet rekomandimi i tyre i bërë në raportin për zgjedhjet e vitit të kaluar. Ky është rekomandimi 3, ku thuhet se “Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishqyrtohet, me qëllim për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana KQZ-së”.
Bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, u shpreh dje se “Partia Demokratike është e gatshme në çdo kohë të japë pëlqimin e saj për trajtimin e rekomandimit të ODIHR-it që do të sigurojë një KQZ me mbështetje dhe konsensus po aq të gjerë sa edhe në vitin 2008”.
Eksperti i PD tha se “ky rekomandim është arsyeja e parë pse ajo refuzon formulimin e paraqitur”, që sipas demokratëve “nuk siguron zbatimin e rekomandimit të ODIHR-it” dhe arsyeja e dytë, siç thonë demokratët është se “reformat nuk bëhen me ultimatume, por me shpirt kompromisi”.
Por, nga ana tjetër socialistët duken të vendosur në linjën e shantazhit, duke e kthyer konsensusin e nisur PD-PS, në aspekt destruktiv dhe me qëllim bllokimin e reformës zgjedhore. “Rekomandimi për KQZ-në është prioritar për Partinë Socialiste dhe se kërkon vullnet politik për t’u realizuar. Pa rikompozimin e KQZ-së, opozita nuk do të miratojë në Parlament asnjë prej amendamenteve të Reformës Zgjedhore”, u shpreh bashkëkryetari socialist i komisionit parlamentar të reformës zgjedhore.
Kësisoj, pasi iu dogjën planet ogurzeza për bllokimin e ligjeve me 3/5, vëmendja e Edi Ramës është te nxjerrja jashtë loje e konsensusit bipartizan për reformimin e ligjit elektoral, në një kohë kur Brukseli pret përgjigje pozitive brenda kësaj jave.
Rekomandimi nr. 3 i ODIHR
Formula për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mund të rishqyrtohet, me qëllim për të rritur besimin në pavarësinë e tij dhe zbatimin e paanshëm të Kodit Zgjedhor nga ana KQZ-së.
Oerd Bylykbashi
Partia Demokratike është e gatshme në çdo kohë të japë pëlqimin e saj për trajtimin e rekomandimit të ODIHR-it që do të sigurojë një KQZ me mbështetje dhe konsensus po aq të gjerë sa edhe në vitin 2008. Reformat nuk bëhen me ultimatume, por me shpirt kompromisi.
Damian Gjiknuri
Pa rikompozimin e KQZ-së, opozita nuk do të miratojë në Parlament asnjë prej amendamenteve të Reformës Zgjedhore. Rekomandimi për KQZ-në është prioritar për Partinë Socialiste dhe se kërkon vullnet politik për t’u realizuar.