Kthimi i shqiptarëve në kufi, PDIU: Athina, shantazh Tiranës

PDIU-ja ka reaguar sot në lidhje me kthimin nga pala greke të 50 qytetarëve shqiptarë në Kapshticë. Në një deklaratë për mediat sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU Ardit Bido, ka theksuar se me këtë veprim Greqia po tenton të tregojë supermacinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. “Kjo është një përpjekje e qartë e palës greke në dy drejtime: së pari Greqia po tenton që të tregojë supermacinë e saj ndaj Shqipërisë, sidomos në këtë periudhë kur shteti grek ka humbur çdo rol në politikën rajonale në Ballkan, për shkak të krizës ekonomike dhe politike që është future” ka theksuar Bido.
Ai ka kërkuar reagimin e shtetit shqiptar në lidhje me këtë çështje pasi sipas tij Greqia po tenton të dëmtojë imazhin e Shqipërisë. “Shteti shqiptar ka vetëm dy rrugë, ose të përulet përpara këtij shantazhi të shumëformësh, një pjesë e të cilit është edhe kthimi i shtetasve shqiptarë në kufi duke qëndruar apatik, ose të kundërshtojë ashpër në të gjitha autoritetet ndërkombëtare dhe të protestojë zyrtarisht, nëpërmjet notave të protestës ndaj shtetit grek. Rrugë të tretë nuk ka. Në këndvështrimin tonë qëndrimi i parë është i papranueshëm dhe asesi nuk duhet të përvijohet nga politika zyrtare e vendit ton” shton PDIU.
Gjithashtu PDIU i ka bërë thirrje shtetit shqiptar që të veprojë sa nuk është vonë, për të shpëtuar sipas saj nga një grackë që qarqet ekstremiste në Greqi po tentojnë të fusin shtetin tonë, qarqe të cilat gjithnjë e më shumë kanë gjetur zë në politikën zyrtare të Athinës. “Rruga e Shqipërisë për në BE nuk kalon nga Athina, aq më tepër nga një Athinë që gjithnjë e më shumë gjendet me një hap jashtë Evropës së Bashkuar. Rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga përqafimi i vlerave evropiane, të cilat qytetarët shqiptarë i shprehin në mënyrë të vazhdueshme. Ka ardhur koha, që shteti shqiptar ta përqafojë këtë aspiratë dhe ndjesi të kombit shqiptar” përfundon PDIU.