Rama me ish-efektivë: Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës të cilët aktualisht janë në pension, për t’u shprehur mirënjohjen dhe uruar një Vit të Ri sa më të mbarë.
Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë vlerësoi kontributin e tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit.
“Ju jeni një kategori e shërbëtorëve të këtij shteti, që meritoni një vlerësim të veçantë, begenisje të veçantë, jo se të tjerët s’e meritojnë, por s’ka një kategori tjetër të shërbëtorëve të shtetit që të numërojë brenda radhëve të veta, njerëz që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, siç është rasti i Policisë së Shtetit”, tha Rama.
Rama tha se sot numërohen 227 dëshmorë në uniformat blu, ndërsa shtoi se “gati-gati nuk të besohet që ky është një numër, që korrespondon me periudhën e demokracisë”.
“Gati nuk të besohet që në këtë vend, pak më shumë se një dekadë më parë, oficerët e Policisë, drejtuesit e Policisë, e humbin jetën si diçka që ishte pjesë e punës. Unë nuk e harroj dot kohën kur, asokohe në opozitë, ne shkonim herë pas here tek shtëpia e SHQUP-it, tek godina e ish-Shtëpisë së Ushtarakëve për të bërë homazhe dhe aty mblidheshin drejtuesit e Policisë, mblidheshin kolegë, shokë të atyre që kishin rënë në krye të detyrës. Dhe kjo e bën edhe më të madhe detyrën tonë për të qenë mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithë juve që jo vetëm shërbyen, por shërbyen në kushte shumë të vështira, kur nuk është e ekzagjeruar të thuash, që Policia e Shtetit ishte e tradhtuar nga vetë shteti”, tha Rama.
/a.f/r.e/