Çelja e grup-kapitullit 6, Rama: Moment pozitiv për avancimin e negociatave me BE

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, solli sot në vëmendje edhe takimin e nesërm në Bruksel, ku Shqipëria pritet të hapi negociatat me BE-në për grup-kapitullin 6.
Rama gjatë fjalës së tij, gjatë një takimi me ish-punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës, AMP-së dhe Shërbimit Zjarrfikës për vlerësimin e kontributit të tyre gjatë misioneve në shërbim të vendit tha se është momenti i duhur për të marrë sa më shumë nga procesi i negociatave me Bashkimin Evropian.
“Me shumë respekt do t’iu kërkoj ndjesë sepse duhet të nisemi tani për gjysmë ore në Bruksel se nesër kemi një tjetër moment shumë domethënës. Hapim një tjetër grup kapitujsh të negociatave.
Kemi shumë besim që do ta kthejmë këtë moment pozitiv në një moment që të marrim sa më shumë nga Bashkimi Europian në aspektin e negociatave dhe mundësisht të arrijmë t’i mbyllim negociatat përpara sesa Bashkimi Europian, se nuk i dihet asnjëherë, të kthehet në atë humorin e mëparshëm kështu që ju falenderoj shumë edhe njëherë dhe po shkojmë të bëjmë këtë gjë nesër dhe me shumë respekt për të gjithë ju dhe paçi vetëm shëndet dhe paçi vetëm mirësi në familjet tuaja dhe pa diskutim jetofshi sa më gjatë që t’i shikoni të mbaruara të gjitha ato meraqet që keni dhe unë jua di mirë meraqet sidomos një merak jua di shumë mirë por nuk e përmendim që mos marrim më sysh”, u shpreh Rama.
Rama pritet të mbërrijë mbrëmjen e sotme në Bruksel, për të vijuar nesër me takimet.
Shqipëria hap nesër negociatat me BE-në për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme, teksa në Bruksel do të mbahet Konferenca e Tretë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Kryeministri Edi Rama do të kryesojë delegacionin shqiptar në këtë konferencë. Grup-kapitulli përmban dy kapituj: Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme dhe Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes.
Ky vendim vjen pas hapjes së kapitullit të “themeloreve” më 15 tetor, që përfshin reformat kyçe në drejtësi, sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt negociues ndahen në gjashtë grupime tematike: Themeloret; Tregu i brendshëm; Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse; Axhenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme; Burimet, bujqësia dhe kohezioni; Marrëdhëniet e jashtme.
Zhvillimi i Konferencës Ndërqeveritare pritet të shënojë një tjetër moment vendimtar për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë.
/a.f/r.e/