Rama me kandidatët e Dibrës: Do të përsëritet tërmeti

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në sesionin e tretë të podkastit maratonë për prezantimin e skuadrës garuese të PS për zgjedhjet e 11 majit, zhvilloi një bisedë me kandidatët për deputetë të qarkut Dibër, Alma Selami dhe Murat Dani.
Kreu i ekzekutivit e nisi fjalën e tij se përtej mbarimit të ankthit me hapjen e tunelit të Murrizit, në këtë qark është thyer edhe një tjetër tabu duke vendosur një grua në listën e mbyllur të PS-së për zgjedhjet e 11 majit.
Nga e saj, kandidatja Alma Selami tha se vjen nga një familje e thjeshtë, me prindër intelektualë.
“Vinim nga një fis modest, nga njerëz model. Unë kam lindur në Peshkopi. Prej 22 vitesh kam dhënë kontributin tim dhe me PS jam bashkuar në vitin 1997. Isha maturante me ekipet e FRESH, në një kohë të rrëmujshme. Rezultati zgjedhoir? Nuk do guxoja të jepja shifra, se s’dua të jem peng i numrave. Ajo që kam vënë re është se skuadra jonë është gjithëpërfshirëse. Është e sigurtë që PS diti të ngrihej që kur morëm bashkëdrejtimin. Aty nisi të organizohej ndryshe. Nisi të kërkoj që nga organizatat që janë gjaku i një partie politike. Aty organizimi është kapilar, në një regjim ushtarak të të organizuarit në territor. Duke parë këtë organizim, objektivat janë të arritshëm”, tha Selami.
Nga ana tjetër, kandidati Murat Dani, i kthyer nga studimet në Londër me bindjen e një të ardhmeje të ndritur edhe në Shqipëri.
“Është nder i madh për të qenë përfaqësues i zonës time dhe qarkut Dibër. Unë kam lindur në Bulqizë, ku kam jetuar deri në moshën 7 vjeçare. Erdha me gjyshen në Tiranë. Pas shumë vitesh në Tiranë, vijova arsimin në Angli, Oxford, ku bëra gjimnazin. Më pas në Londër, ku mbylla bachelorin për inxhinieri elektrike dhe elektronike. Më pas bëra dhe msc. Këtë pranimin për garën me kandidaturën bëri që të kthehem më shpejt se çfarë e kisha menduar”, vijoi ai.
Kryeministri Rama u shpreh se “bota është aty, ambicia është të futemi në BE dhe më pas pastaj të jetojmë”.
“Dibra është vendi i tërmeteve. Prisni dhe do të shikoni. Në Dibër do të përsëritet tërmeti. Vazhdojnë ata këmbëngulin me ca tipa, që i marrin nga këneta e i çojnë në Dibër. Si ka mundësi, por vetëm dibranët s’duhet me i marrë për budallenj. Mos u jepni më vota atyre o burra dheu”, tha Rama.
/a.f/