Rama me nxënësit e shkëlqyer: Krenaria e Tiranës
TIRANË- Bashkia e Tiranës ka shpërndarë dhurata sot për nxënësit e shkëlqyer, ndërkohë që kreu i saj, Edi Rama ka garantuar mbështetje për më të mirët.
Në një takim me rreth 1100 nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe 300 nxënës të shkollave të mesme me rezultate të shkëlqyera në mësime, Rama u ka shprehur atyre mirënjohje për rezultatet e arritura.
"Ju jeni qytetaret me te mire te Tiranes, ju jeni krenaria jo vetem e prinderve tuaj, jo vetem e shkolles tuaj por edhe e gjithe qytetit dhe eshte privilegj per mua, eshte nder per Bashkine e Tiranes qe te kalojme keto pak çaste se bashku"- u është drejtuar Rama nxënësve.
Ai i ka falenderuar ata për gjithçka kanë bërë deri tani dhe për të gjitha 10-tat e pafundme që kanë marrë. "Dua t'ju them që Bashkia, jo vetëm do vazhdojë t'ju mbështesë si ju ka mbështetur deri tani, por ne jemi duke menduar që nga ata që marrin më shumë 10-ta, midis atyre që janë me 10-ta, të bëjmë diçka edhe më të madhe, se sa ajo që bëjmë për të gjithë", tha ai.