E Shtunë, 31 Tetor 2026

FRESSH-Metës: I fundit je ti, jo Shqipëria

TIRANË- "I fundit je ti, jo Shqipëria". Me këtë parullë, Forumi Rinor Eurosocialist i është drejtuar sot zëvendëskryeministrit të vendit, dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta gjatë një tubimi përpara godinës së Ministrisë së Jashtme.
Të rinjtë eurosocialistë kanë shprehur përmes këtij tubimi indinjatën e tyre për deklaratat aspak dinjitoze dhe absurde të Ministrit të Jashtëm, Meta. Sipas përfaqësueses së këtij forumi, Elisa Spiropali, ministria është një " kuti e madhe e mbyllur dhe e vjedhur".
"Nga kjo kuti e mbyllur dhe e heshtur para disa ditësh doli një zë. Ky zë i shpëlarë na tha se ne shqiptarët nuk mund të lëvizim lirisht në Europë për një arsye absurde; Sepse jemi të fundit! Zoti ministër i jashtëm, Nuk jemi të fundit ne. I fundit je ti që i konsideron të gjithë shqiptarët të fundit për të vetmen arsye sepse je i paaftë. Nuk jemi të fundit ne. I fundit është zhgani yt që nuk hap kutitë ku fshihet e vërteta e popullit"- tha ajo para mediave.
Sipas saj, të fundit janë ministrat e qeverisë, ata ministra që ministra mbetën edhe pasi shpërthyen gërdeca dhe vodhën miliona; E fundit është drejtësia jote që shtrembëron edhe ligjet më të qarta.
Më tej ajo ka cilësuar si më të fundit dhe prapambeturin ndër të gjithë Metën me aleancat e dallavereve dhe qeverinë e korruptuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›