SMS-ja e manipulimit të Kuvendit të PD-së
Gazeta "Shekulli" bën publike sms-në e shpërndarë nga zyrtarë të lartë të PD-së për shumicën e delegatëve
Përmes një sms-je, delegatët udhëzohen se si duhet të votojnë për përbërjen e re të Këshillit Kombëtar
TIRANË - Kandidimi i këngëtares Çiljeta Xhilaga, në kongresin e 9-të të Partisë Demokratike, kishte për qëllim të sfumonte gjithçka ishte gatuar nga kryetari i PD-së,
Sali Berisha, dhe njerëzit e afërt të tij, mbi përbërjen e re të Këshillit Kombëtar dhe
duket se deri diku ia arriti qëllimit. Por, pavarësisht se kanë kaluar 12 ditë nga mbajtja e Kongresit, është kjo sms që zbulon të vërtetën. Mesazhi që gazeta "Shekulli" bën publike mësohet se u ka shkuar me telefonon celular shumicës së delegatëve, ditën e Kuvendit.
Përmbajtja e kësaj sms-je provon edhe njëherë se si funksionon "demokracia" në PD edhe pas 19 vitesh. Delegatët e kanë pasur të qartë urdhrin që (përpos preferencave të tyre) prioritet në listën përfundimtare, duhet të kishin pikërisht emrat e shpërndarë përmes një sms-je që ka qarkulluar jo pak në telefonat celularë të delegatëve. Gjithçka ka qenë e qartë; I pari të renditej, Berisha me pas Topalli, Patozi Bode e me radhë. SMS-ja e zbardhur, nxjerr në pah edhe një tjetër konflikt tashmë të hapur në PD, mes figurave të reja dhe lidershipit të vjetër të partisë. Kështu, në sms-në e shpërndarë nuk përfshihen emrat ambiciozë për tu përfshirë edhe në strukturat e larta të PD-së, si Lulëzim Basha, Majlinda Bregu apo Arben Imami, të cilët pavarësisht se janë votuar sërish për në Këshillin Kombëtar, ata nuk kanë marrë të njëjtin rezultat si katër vite me parë, ndërkohë që janë katapultuar në këtë këshill emra krejt pa kontribut (sado modest) në këtë parti. Në sms-në e shpërndarë për delegatët përkrah emrave, janë shënuar numrat korrespondues me fletën e votimit. Ndryshe nga sa u bë publike për mediat, ku radhitja kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar ishte sipas rendit alfabetik, në fletën e votimit, lista e servirur ka qenë krejt ndryshe. Në një kategori janë përfshirë emrat e kryesisë dhe këshillit kombëtar. Madje, edhe këta të radhitur sipas një rendi preferencial. Kjo duket qartë në rast se do t'i referohemi emrit të Aleksandër Biberajt, i cili edhe pse anëtar i kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, në listën e votimit, ka qenë i 78-i, një renditje kjo që për delegatët ka qenë sinjal i qartë nga lidershipi, për të mos e votuar. Në një tjetër kategori, (po në listën e votimit) janë përfshirë kandidaturat e LDGSH-së, veças ka qenë edhe FRPD-ja. Ndërkohë që nuk kanë munguar edhe kandidaturat e ndara sipas qarqeve. Në mesazhin e bërë publik thuhet për shembull që delegatët duhet të votonin 15 gratë e para të renditura në kategorinë e LDGSH-së, 6 kandidaturat e para të renditura në fletën e votimit nga FRPD-ja, 8 të parët e qarkut të Tiranës, 3 të parët nga Shkodra, dy të parët e qarkut të Elbasanit e deri te qarku i Dibrës. Në listën e emrave të propozuar nga zyrtarët e lartë të selisë blu, bie në sy emri i Viktor Gumit, i cili edhe pse i rekomanduar për ta votuar si anëtar i Këshillit Kombëtar, në momentin e fundit, është përjashtuar nga lista përfundimtare. Ndërsa, të gjitha emrat e tjerë "çuditërisht" janë në top listën e më të votuarve nga delegatët e PD-së. Madje, renditja e tyre sipas votave, duket sikur është bërë më dorë, pavarësisht votimit nga 1218 delegatët e Kongresit. Kështu, përveç emrit në vend të parë të kryetarit Sali Berisha, "çuditërisht" në vend të dytë radhitet nënkryetarja Jozefina Topalli, i treti Astrit Patozi dhe i katërti Ridvan Bode, katërshja e kryesisë së vogël të kësaj partie.
Numrat përfaqësojnë numrat korrespondues me fletën e votimit
SMS-ja e shpërndarë shumicës së delegatëve
të Kuvendit të PD-së, ditën e votimit
Votoni:
Sali Berisha, Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Ridvan Bode, Bujar Nishani nr. 6, Sokol Olldashi nr. 8, Jemin Gjana, nr. 11, Edi Paloka nr. 12, Ilir Rusmali nr. 13, Edmond Spaho
Nr. 14, Flamur Noka nr. 19, Genti Strazimiri nr. 20, Albana Vokshi nr. 22, Mesila Doda nr. 29, Erla Mëhilli nr. 30, Blendi Kasmi nr. 31, Arenca Trashani nr. 34, Eduart Halimi nr. 36, Luan Skuqi nr. 49, Viktor Gumi nr. 63, Afred Rushaj nr. 65, Bardh Spahia nr. 67, Jorida Tabaku nr. 71, Arben Qirjako nr. 85.
15 gratë e para të LDGSH-së
6 të parat e FRPD-së
8 të parët te qarku i Tiranës
3 të parët te qarku i Shkodrës,
5 të parët te Durrësi
2 të parët te qarku i Elbasanit
2 të parët te qarku i Vlorës
2 të parët te qarku i Dibrës
Nga kjo sms i vetmi kandidat që nuk ka fituar është ai i Viktor Gumit, emri i të cilit mësohet së është hequr në momentin e fundit nga lista përfundimtare e bërë publike nga selia e PD-së.