E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rinumërim transparent

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) premton se do të jetë “më shumë se transparent” të hënën, kur do të hapet “dosja” e rreth 130 kutive të votimit të Gjilanit për rinumërim.

Në kohën kur sytë e dy partive më të mëdha politike në Kosovë, opinionit vendor, por edhe atij ndërkombëtar janë të drejtuar kah zhvillimet në KQZ rreth çështjes së kryetarit të Gjilanit, zyrtarë të këtij komisioni kanë thënë se janë duke u përgatitur për të mos lënë vend për asnjë ankesë në momentin kur procesi i rinumërimit do të ketë përfunduar.

“Nga ana jonë do të jemi më shumë se transparentë. Të gjithë do t’i kenë vëzhguesit e tyre. Edhe partitë, edhe misionet vëzhguese, edhe ambasadat e huaja. Edhe mediat mund të jenë të pranishme për ta parë nga afër procesin”, ka thënë të premten për Express një burim nga KQZ’ja.

Rinumërimi në Gjilan nuk do të zgjasë më shumë se një ditë, por ai me gjasë nuk do të mund të fillojë të hënën, ashtu siç është paralajmëruar. Zyrtari i KQZ’së që ka folur për gazetën është shprehur se gjatë ditës së hënë do të verifikohet materiali zgjedhor dhe kutitë e votimit, për të parë nëse ka kushte që të fillojë rinumërimi.

Meqë bëhet fjalë për procedura strikte që duhet të ndiqen, ky zyrtar pret që rinumërimi si i tillë, të fillojë të martën dhe të kryhet po të njëjtën ditë. “Fituesi i zgjedhjeve do të shpallet aty për aty, sapo të përfundojë rinumërimi”, ka thënë ky burim.

Por duket se zyrtarë të KQZ’së nuk janë të gatshëm t’iu bëjnë vend në mjediset e QNR’së edhe dy njerëzve rreth të cilëve është krijuar tërë kjo zhurmë- Qemajl Mustafës dhe Fatmir Rexhepit.

“Ata nuk ka nevojë që të jenë aty gjatë kohës sa bëhet rinumërimi. Edhe PDK’ja, edhe LDK’ja i kanë vëzhguesit e tyre në qendër”, ka thënë i njëjti burim.

Ndërsa bëhet e ditur se mediat do të mund të jenë të pranishme për ta parë rinumërimin që nga kutia e parë e deri te shpallja e rezultatit.

Rinumërimi i kutive të Gjilanit do të tregojë nëse kryetari do të zgjidhet me kutitë aktuale apo do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në këtë komunë, sikur edhe në Prizren e Lipjan.

KQZ’ja ende nuk ka caktuar një datë për rivotim, por përgatitjet janë duke u bërë që ky proces të zhvillohet më 24 janar. Por në rast se procedurat e prokurimit kërkojnë kohë më shumë, KQZ’ja është duke ruajtur një datë tjetër, 31 janar, opsion tjetër për rivotim.

Mirëpo të premten, burimi nga KQZ’ja është shprehur optimiste se rivotimi nuk do të ketë nevojë të shtyhet më shumë. “Kemi verifikuar gjithçka që na nevojitet. Shumicën e materialit votues e kemi, kështu nuk na duhet të shpenzojmë shumë për rivotim”, ka thënë ai.

Gjithashtu KQZ’së i duhet që ta përgatisë listën përfundimtare të votuesve në komunat ku zhvillohet rinumërimi, por edhe që t’i ndërrojë të gjithë komisarët e atyre komunave, pasi që të parët konsiderohen si fajtorët kryesorë për të metat e shfaqura më 15 nëntor, e sidomos më 13 dhjetor.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›