Rama me të rinjtë e Fierit: Më 11 maj keni shansin të bëni histori

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetari i PS-së u takua në Fier me të rinjtë socialistë, ku i ftoi ata të votojnë në zgjedhjet e 11 majit për Shqipërinë në Europë.
Rama u tha të rinjve se janë brezi që në pak vite do të kenë një pasaportë të BE-së.
”Një brezi mund t’i vijë ose mund të mos i vijë shansi për të bërë histori. Brezit të atyre që dolën dhe dhanë goditjen e fundit regjimit komunist iu dha shansi të bëjnë histori. Dhe ishte ai brez që u bashkua me të tjerët dhe me votën e tyre bënë histori, duke e ndarë Shqipërinë nga ai sistem i mbyllur e duke e futur në një tjetër sistem, të hapur me botën”, deklaroi Rama.
Më 11 maj, iu drejtua Rama të rinjve, keni shansin të bëni histori.
“Unë nuk jam me mendimin se të rinjtë duhet të qëndrojnë në vendin e tyre, jo ata janë të rinj sepse jo vetëm mund, por edhe duhet të pushtojnë botën”, theksoi Rama.
Ne, vuri në dukje Rama, nuk kemi luftuar që Shqipëria të jetë bunker.
“Ne kemi luftuar që Shqipëria të bëhet pjesë e botës dhe që çdo vajzë e djalë edhe në fshatin më të largët të mos ketë frikë të ëndërrojë të pushtojë botën”, u shpreh Rama.
Më 11 maj, theksoi ai më tej, të rinjtë kanë në dorë që duke u mobilizuar me të gjithë bashkëmoshatarët e duke shkuar të votojnë, mund të vendosim nëse në pak vite do të kemi një pasaportë shqiptare të BE-së.
Marrja e një pasaporte të BE-së nuk sjell vetëm lëvizjen e lirë, theksoi Rama, por siguron mundësinë për të studiuar e punuar e studiuar kudo ku dëshiron.
Kryeministri u ndal dhe te momenti, të cilin e cilësoi si hapja e një dritareje, që nuk ka qenë kurrë e hapur në mënyrë të tillë.
“Janë përputhur rrethanat, është përputhur dëshira që kemi pasur gjithmonë, që prej shekujve të kaluar, për të qenë pjesë e Europës, është përputhur ambicia e gatishmëria jonë me dëshirën e tyre për të na pranuar që të bëhemi pjesë tani.
“Dhe ky është edhe fat. Nuk është thjesht merita jonë. Ne vërtet kemi bërë shumë punë, por fati e ka dashur që Europa të ketë nevojë sot të forcohet, zgjerohet, e të marrë anëtarë të tjerë“, u shpreh ai.
Rama tha se BE dëshiron që Shqipëria dhe Mali i Zi të mbyllin negociatat brenda 2027-ës.
“Duan të japin sinjal për të tjerët që BE po rritet, forcohet e zgjerohet”, deklaroi Rama. /j.p/
1 nga 3