Rama: Shqipëria nuk ka për ta humbur trenin e historisë

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Gjatë një takimi me të rinjtë e Partisë Socialiste në Fier, kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste, tha se Shqipëria nuk ka për ta humbur më trenin e historisë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Kreu i qeverisë tha se data 11 maj nuk është një ngjarje politike, por një mision patriotik për çdo shqiptar.
“Në 11 maj nuk është lojë politike, nuk shkojnë në një stadium partitë politike, nuk është luftë fanellash dhe nuk është punë tifozësh. Në 11 maj është thjesht dhe vetëm një mision patriotik i çdo shqiptari, duke filluar nga ju sepse ju do ta bëni për veten tuaj, për interesin tuaj, që të merrnin pasaportën brenda 2030”, tha Rama.
Rama theksoi se çdo shqiptar duhet të angazhohet për këtë qëllim kombëtar, duke e cilësuar këtë moment si një mundësi historike për Shqipërinë.
“Çdo shqiptar duhet të shkojë dhe të thotë se këtë herë nuk është politikë, këtë herë është vetëm Shqipëria që është përtej partive, përtej të majtës, përtej së djathtës, përtej sherreve, përtej SPAK-ut, është Shqipëria në BE vetëm me PS-në. Se që ne do të fitojmë kjo nuk diskutohet, por nga ju unë nuk dua fitore por triumf të PS-së. Nuk është fjala për triumfin tim, e tonin, por është fjala për triumfin e një Shqipërie, që nuk ka për ta humbur shansin historik, nuk ka për ta humbur trenin e historisë, nuk ka për ta humbur momentin kur pikërisht tani duhet të ngjitet në atë majën që e kanë ëndërruar të gjithë”, tha Rama.
“Kur ishte Skënderbeu që luftonte dhe u bë pengesë këtu për të mbrojtur Europën nuk kishte BE. Por Skënderbeu mbrojti Europën. Më pas kur Rilindasit tanë thanë Dielli ynë lind andej nga Perëndon nuk kishte BE, por ata shikonin Europën, më pas kur Ismail Qemali ngriti flamurin dhe u shkëput nga Perandoria Otomane shihte Europën më pas të gjithë ne jemi munduar të shikojmë Europën, por nuk na kanë lënë që të kapim Europën, tani kjo është në dorën tonë dhe zogun që ka ardhur në dorë ne nuk kemi për ta lëshuar, sepse nuk do të na e falë historia”, tha Rama. /j.p/