E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama ndan mesazhin e emigrantit të rikthyer në vendlindje: Në Shqipëri është koha kur mund të investohet


TIRANË, 10 mars/ATSH/ Kreshnik Heqimaj nga Mallakastra është një prej shumë shqiptarëve të rikthyer në vendin e tij, pas disa viteve në emigracion.

Me përvojën e fituar në Itali ai vendosi të jepte kontributin e tij në vendlindje dhe sot ka një thirrje për të gjithë shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale apelin e Kreshnikut për shqiptarët jashtë, ndërsa u shpreh se “Shqipëria që gjeti ishte krejt e ndryshme nga ajo që kishte lënë kur u largua”.

Kreshniku tregon se pas vitesh emigracioni në Itali u rikthye në vendlindje për arsye familjare. “Ajo Shqipëri që lashë para disa viteve me atë çfarë gjeta ishte një ndryshim drastik si dita me natën. Për këtë i jam falënderues qeverisë shqiptare, e cila me ndërmarrjen e një sërë reformash na ka bërë ne shqiptarët kudo që ndodhemi nëpër botë krenarë për vendin tonë”, tha ai.

Sipas Kreshnikut, Shqipëria është bërë një vend më i bukur dhe i jetueshëm.

“I frymëzuar nga puna që bëja në Itali u riktheva me energjinë për të dhënë kontributet e mia në vendin tim. Zonën tonë e ka bekuar Zoti me pasuri të mëdha nëntokësore dhe mbitokësore siç janë ullishtat, vreshtaritë apo arroret e ndryshme”, tha ai.

Kreshniku ftoi çdo shqiptar që ka disa vite pa u rikthyer në Shqipëri që të rikthehet dhe nëse i ka krijuar disa mundësi të ardhurash atje ku ka punuar si emigrantë të investojnë në Shqipëri.

Sipas tij, “tashmë në Shqipëri është koha ku mund të investohet dhe të ndërtohen një sërë sipërmarrjesh, duke filluar që nga sipërmarrjet bujqësore te ato turistike”.

“I bëj thirrje çdo emigranti kudo ku ndodhet në botë të kthehet. Le të jetë historia ime një histori frymëzimi. Italia është e italianëve, Greqia e grekëve dhe Amerika e amerikanëve. Shqipëria është e shqiptarëve ndaj kontribuoni në vendin tuaj, rikthehuni në vendin tuaj”, apeloi ai.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›