E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shabani: Hetim administrativ për veprimet e policisë gjatë protestës

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Avokati i Popullit, Endri Shabani deklaroi sot se institucioni ka nisur një hetim administrativ për të verifikuar veprimet e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar ditën e sotme para parlamentit.

Pas një vizite në Komisariatin nr. 1, ku po mbahen gjashtë protestues të ndaluar, Shabani tha se ata ende nuk kanë një status procedurial të përcaktuar.

“Kam ardhur vetë, jo stafi. U interesova për të drejtat e tyre dhe për statusin në të cilin ndodhen. Mora një nga avokatët dhe hymë bashkë. Të ndaluarit ende nuk kanë një status. Janë ndaluar për shkak të incidentit që ka ndodhur gjatë protestës”, u shpreh ai.

Shabani bëri të ditur se Avokati i Popullit ka nisur hetim për të gjithë zinxhirin vendimmarrës lidhur me ndërhyrjen e policisë.

“Sjellja e policisë ishte joproporcionale dhe jemi shumë të shqetësuar. E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese. Hetimi do të përfshijë të gjithë zinxhirin vendimmarrës”, deklaroi Avokati i Popullit.

Në një reagim zyrtar Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit, duke theksuar se pamjet e publikuara ngrenë dyshime serioze për përdorim joproporcional të forcës dhe cenim të dinjitetit njerëzor.

Sipas reagimit zyrtar, Avokati i Popullit u paraqit gjatë ditës në komisariat për të verifikuar kushtet e ndalimit, trajtimin e personave të shoqëruar dhe respektimin e të drejtave të tyre procedurale. Institucioni bën të ditur se grupit të monitorimit iu lejua menjëherë aksesi në ambientet e komisariatit, ndërsa avokatëve të personave të ndaluar nuk iu lejua hyrja.

Institucioni ka nisur një hetim administrativ me iniciativë (ex-officio). Nga verifikimi paraprak i pamjeve filmike, sipas njoftimit, konstatohet se ka pamje që tregojnë goditje fizike ndaj protestuesve gjatë shoqërimit, duke ngritur dyshime për trajtim degradues dhe përdorim joproporcional të forcës.

Në reagim theksohet se parimi i proporcionalitetit lejon përdorimin e forcës vetëm për të neutralizuar një rrezik real dhe kërkon që ajo të ndërpritet sapo rezistenca të pushojë. Sipas Avokatit të Popullit, reagimi ndaj akteve simbolike nuk justifikon në asnjë rast ushtrimin e dhunës fizike ndaj protestuesve.

Avokati i Popullit i ka kërkuar Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore që brenda 48 orëve të paraqesin sqarime me shkrim, përfshirë urdhrin operacional të ndërhyrjes, regjistrimet e kamerave trupore dhe bazën ligjore mbi përdorimin e forcës.

Institucioni njofton se, në përfundim të hetimit administrativ, do të rekomandojë masa konkrete në çdo rast ku evidentohen shkelje, duke theksuar se do të ndjekë me vëmendje të gjithë procesin për të garantuar respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›