E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmim online kontrollorëve

Berisha në mbledhjen e Task-Forcës

Kryeministri Berisha mbledh Task-Forcën për reformën e reduktimit të inspektorateve.

Raportim në kohë reale, shmangje e ryshfeteve

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë projektligjin për reduktimin e numrit të inspektorateve në vend. Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje Task-Forcën për reformën e inspektorateve, ku bëri të ditur se ndodhet në fazën e kurorëzimit ligjor të saj. Kreu i qeverisë deklaroi se me reformën e re synohet tu mbyllet shtegu abuzimeve të inspektorëve në kurriz të bizneseve, duke rritur transparencën dhe eliminimin e ryshfetit. Duke folur për reformën e inspektorateve, Kryeministri paraqiti dhe metodën e re të gjurmimit elektronik të inspektorëve në terren. Këta të fundit do të jenë të lidhur me zyrat qendrore të inspektoratit, me të cilat do të raportojnë për veprimet online. Monitorimi i inspektorëve në terren do të jetë i vazhdueshëm dhe çdo veprim do të raportohet tek kryeinspektorët përkatës, të cilët do të bëjnë verifikimet në çdo kohë. Në sistemin e inspektorateve dhe në reformën e bërë natyrisht ka një përshtatje të plotë me tregun, degëzimet dhe funksionimin e tij. Një specifikë tjetër kryesore e kësaj reforme është gjurma. Gjurma e menjëhershme e inspektorit në vendin e inspektimit, gjurmë e cila do të transmetohet në kohë reale në zyrat e inspektorit përgjegjës dhe të kryeinspektorit të shtetit, çka përbën formën më transparente dhe natyrisht parandalon vizitat e tepërta, kafet shoqërore dhe në mënyrë absolute dhe ryshfetet. Nuk ka qenë e thjeshtë sepse është bërë një shkëputje në kohë, është kaluar në e-inspektorate, nuk ka qenë e thjeshtë sepse janë ndryshuar me dhjetëra ligje në të cilat bazohej veprimtaria e inspektorateve ekzistuese, deklaroi Berisha.
Kohëzgjatja
Inspektimet në terren të inspektorëve nuk do të zgjasin më shumë se 12 ditë. Sipas Kryeministrit Berisha, aktualisht një kontroll ndaj biznesit u kushton këtyre të fundit rreth 45 ditë, çka shkakton një humbje të madhe kohe. Berisha deklaroi se numri i inspektorateve në vend do të reduktohet ndjeshëm, dhe se në total do të qëndrojnë vetëm 1/3-ta e inspektorateve ekzistuese. Kam besim të madh se miratimi i ligjit dhe i akteve nënligjore të përgatitura që do të diskutohen këtu, do të zbatohen me vendosmëri të prerë dhe se në një kohë shumë të afërt Shqipëria do të ketë të instaluar sistemin e ri të inspektorateve, reformë kjo jo e padhimbshme, por që nuk synon dhimbje ndaj askujt, theksoi Berisha.

Shtatë VKM për inspektoratet
Qeveria, përveç projektligjit për reformimin e inspektorateve, pritet të miratojë dhe 7 vendime të Këshillit të Ministrave për të plotësuar funksionimin e inspektorateve. Kryeministri Berisha tha dje se me reformën në inspektorate janë ndryshuar të gjitha ligjet aktuale dhe se paketa e re ligjore do të jetë për diskutim në Parlament me hapjen e sesionit të ri në muajin shtator.

Grupi Petromanas rrit investimet në Shqipëri
Grupi i naftës dhe gazit Petromanas-Shell pritet të rrisë më tej investimet në Shqipëri. Ky fakt u konfirmua gjatë takimit që zhvilloi dje Kryeministri Sali Berisha me kreun e këtij grupi, Glen McNamara. Petromanas-Shell po kryen shpimin e pusit 6200 metra në fushën e kërkimit në Shpirag, më i thelli në Europë. Ai u shpreh se rezultatet e deritanishme në zonat e kërkimit janë optimiste dhe premtuese, prandaj dhe të dy partnerët Joint Venture Petromanas dhe Shell kanë vendosur të intensifikojnë shpimet dhe punën në përgjithësi për të shkuar drejt shfrytëzimit. Ndërkohë grupi ka përgatitur programin për të filluar një studim të thellë sizmik të zonës, që kap vlerën prej 40 milionë eurosh. McNamara tha se grupi do të punojë paralelisht me disa sonda, duke filluar shpimet edhe në zonën e Jubanit.

FATION BINJAKU

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›