SHBA – Trump dhe Putin përfundojnë telefonatën në përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

UASHINGTON, 18 mars /ATSH/- Presidenti amerikan, Donald Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin diskutuan sot për luftën në Ukrainë në një telefonatë që Uashingtoni shpresonte se do ta bindte Moskën të pranonte armëpushimin 30-ditor dhe të shkonte drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje, sipas “Reuters”.
Shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino tha më herët se biseda telefonike kishte shkuar mirë.
Kirill Dmitriev, një i dërguar i Putinit, tha se nën udhëheqjen e Trump dhe Putin bota ishte bërë një vend shumë më i sigurt.
Ukraina tashmë ka rënë dakord për armëpushimin e propozuar nga SHBA-ja në konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, në të cilin qindra mijëra njerëz janë vrarë ose plagosur, miliona të tjerë janë zhvendosur dhe qytetet janë kthyer në rrënoja.
Putin, forcat e të cilit pushtuan Ukrainën në shkurt 2022, tha javën e kaluar se ai mbështeti në parim propozimin e Uashingtonit për një armëpushim, por se forcat e tij do të luftonin derisa të përpunoheshin disa kushte vendimtare.
Trump shpreson gjithashtu të sigurojë përparim drejt një plani paqeje afatgjatë, për të cilin ai ka lënë të kuptohet se mund të përfshijë lëshime territoriale nga Kievi dhe kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhias në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha para telefonatës se Trump dhe Putin do të diskutonin zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ata do të flisnin për aq kohë sa ata e konsideronin të nevojshme.
Peskov tha se ekzistonte tashmë “njëfarë mirëkuptimi” midis dy liderëve, bazuar në një telefonatë që ata zhvilluan më 12 shkurt dhe në kontaktet e mëvonshme të nivelit të lartë midis dy vendeve. //a.i/