Rama në Berat dhe halli im si qytetar
Fundin e kësaj jave, Edi Rama vjen në Berat për kuvendim elektoral me qytetarët. Me thënë të vërtetën, janë të shumtë ata që e presin dhe duan ta marrin fjalën. Arsyetimi është i thjeshtë. Një qytet me një mijë e një halle i ka të gjitha arsyet e botës jo vetëm për të folur, por edhe për të ulëritur.
Diku para një viti, gazetari Marin Mema, i TOP CHANNEL, realizoi reportazhin televiziv për Beratin, posaçërisht për zonën historike të titulluar Një qytet që po vdes, me pamje rrëqethëse dhe të pakundërshtueshme.
Të gjithëve na erdhi keq. Berati mbi 2400- vjeçar, i regjistruar si pasuri e UNESCO-s, lëngon dhe zvarritet.
Në këto ditë të nxehta elektorale kam dëgjuar shumë deklarata për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, madje edhe broçkulla, që jo unë dhe bashkëqytetarët e mi, por edhe fëmijët nuk i besojnë.
I bindur se fjalët i merr era (scripta manent, verba volant), i bindur se vështirë të gjejë radhë për të folur në takim, e pashë të udhës ti shkruaj Ramës dy fjalë për hallin që kam, me arsyetimin se një qytet që ka pasuri trashëgiminë kulturore, mund ti ketë të gjitha të mirat.
Në fakt është e kundërta. Një situatë e paprecedentë në zonën historike më bën sinqerisht të merakosem dhe të ndjehem keq duke menduar që edhe zgjidhjet kërkojnë pak më shumë vullnet dhe zemër.
Në ligjin për Trashëgiminë Kulturore, shteti i favorizon qytetarët për restaurimin në raportet 70% -30% për shtëpitë e kategorisë së parë dhe 60 – 40% ato të kategorisë së dytë.
Në fakt zgjidhja ka ngecur. Qytetarët nuk kanë burimet financiare për pjesën që u takon. Ka familje me një rrogë. Ka familje me dy pensionistë. Akoma më keq, ka familje pa asnjë të ardhur ose shtëpi të braktisura.
Zgjidhja që do ti ofroja Ramës është: Të përcaktohet me ligj dhënia e kredive të buta, favorizuese për qytetarët e zonës historike, ashtu siç jepen (ose më saktë siç janë dhënë) për deputetët për të blerë shtëpi.
Qytetarët janë dakord dhe e shohin si të vetmen rrugëzgjidhje. Po kaq e rëndësishme është që shteti ligjërisht të marrë përsipër restaurimin e shtëpive për familjet që absolutisht skanë të ardhura ose për shkak të moshës së banorëve presupozohet se nuk do ti kenë.
Duhet ta pranojmë se familje të tilla nuk janë pak në të tre lagjet historike: Mangalem, Kala, Goricë. Që do të thotë: dhjetëra shtëpi të patrajtuara dhe të parestauruara, të destinuara të rrënohen nga dita në ditë për shkak të pamundësisë financiare.
Ka një paralajmërim serioz për Beratin për ta futur në listën e zezë të qyteteve me probleme për shkak të financimit minimal qeveritar dhe në shumë raste të mosplotësimit të parametrave. Nuk shikoj arsye pse të mos të përcaktohet me ligj një përqindje detyruese në buxhetin qeveritar për të dy qytetet Berat dhe Gjirokastër (në UNESCO) ashtu siç veprohet për mbrojtjen (në NATO).
Për vërtetësi, buxheti vjetor, p.sh. i Drejtorisë së Monumenteve Berat, nuk e kalon vlerën për restaurimin e pesë çative. (Me këtë ritëm do të na duhej mbi 50 vjet për të përfunduar restaurimin e të gjithë çative vetëm të lagjes Mangalem). Vaj halli kur qytetari vjen dhe paraqitet tek Drejtoria e Monumenteve me lekë në dorë për të bërë pagesën për pjesën që i takon për restaurim dhe shteti nuk ka të paguajë pjesën e vet?!
Është e papranueshme që sa herë ndryshojnë qeveritë, ndryshojnë dhe strukturat përgjegjëse dhe kujdestare ndaj monumenteve.
Aq më keq, kur ndodh kjo edhe kur ndryshojnë ministrat.
Deri në vitin 2005, Drejtoria e Monumenteve Berat, me fonde modeste, kishte afërsisht 50 punonjës, me shumë mjeshtra të gurit, drurit, hekurit, ikonave etj.
Ndërsa sot kemi vetëm dy të tillë, dhe 5 punonjës të administratës, të cilët as vetë nuk e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Nuk kanë faj.
Edhe tenderimet për restaurim bëhen në Tiranë nga persona të babëzitur. Edhe për ferrat dhe barin në kala, sjellin punëtorë nga Tirana.
Zoti na ruajtë! Firmat fituese në të shumtën e rasteve janë ato që skanë përvojë restauruese edhe pse janë të licencuara (një problem me vete liçencimi i firmave që operojnë në zonat muzeale).
Këto raporte flasin qartë për eliminim të strukturave përgjegjëse dhe kujdestare, siç ishin Drejtoritë e Monumenteve. Nëse ato nuk ekzistojnë, ku do të rriten brezat e restauratorëve dhe mjeshtrave të gurit, drurit, ikonave?
Si do të përcillet përvoja midis brezave? Kush do të kujdeset për afresket e kishave të Beratit që kanë vite dhe vite pa u restauruar apo do të kujtohemi vetëm kur ato të vetëshkatërrohen ose të dëmtohen?
Ka ardhur koha të reflektohet për ringritjen e strukturave të plota të Drejtorive të Monumenteve, duke bërë edhe përjashtime për interesa shumë më të mëdha, ndryshe do të jetë vonë.
Edhe pse e kemi ngritur zërin në kupë të qiellit për vënien në punë ose rimodelimin e rrjetit të hidranteve në të tre lagjet muzeale, neglizhenca është fatale.
Të mendosh për një çast se do të binte zjarr në lagjen Mangalem, situata do të ishte e pariparueshme (Zoti na ruajt!).
Për një shtëpi në Kala u dogjën tre në vitin 2005, mbasi zjarrfikësit arritën të afrohen, por në Mangalem është krejtësisht e pamundur të ndodhë.
Ka vite dhe vite që flitet për ndërtimin e unazës së qytetit, jo vetëm për të larguar baltën dhe pluhurin dhe për ti dhënë frymëmarrje lëvizjes turistike, por edhe për të evituar një herë e mirë tronditjet e makinave 50- tonëshe të ngarkuara me gurin e Malit të Tomorit.
Ata që ndërtuan lagjen Mangalem parashikuan të kalojnë poshtë saj kuaj dhe karroca dhe jo makina të llahtarshme që, sipas banorëve të lagjes, tronditin dhe kanë krijuar çarje të shtëpive.
Berati e meriton Unazën. Nuk është luks.
Banorët e lagjes Mangalem jetojnë çdo ditë dhe çdo natë me rrezikun e rënies së gurëve nga pjesa shkëmbore që është e vendosur mbi shtëpitë e tyre. Ka pasur raste kur shkëmbinjtë kanë rënë mbi muret e shtëpive dhe kanë përfunduar në rrugë, madje në një rast, edhe mbi një makinë që fatmirësisht ishte pa njeri brenda. Projekti i mbrojtjes nga shkëmbinjtë është gati. Mungon vetëm financimi.
*Drejtori i Kulturës, Bashkia Berat
