E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Kasandra

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Fahri Balliu ka shkruar dikur një libër për fushatën e Berishës në vitin 1996, me titullin Berisha mes Kasandrave. 17 vjet më vonë, Fahriu është mik me gjithë Kasandrat, të cilat në atë kohë ishin Islami, Imami, Ceka, Ruli dhe Selami, ndërsa Berisha është në dorë të tyre. Fushata elektorale e Partisë Demokratike po dominohet nga dy elementë tipikë, që më së miri i shkonin Fahriut, negativiteti dhe diversioni. Fushatën negative po e udhëheq vetë, ndërsa fushatën diversioniste ia ka besuar Kastriot Islamit. E thënë më ndryshe, Berisha po bën rolin e Fahriut, ndërsa Islami rolin e Kasandrës, të cilin Fahriu ia pat taksur në një libër për fushatën e Berishës në vitin 1996.

E parë me qetësi, nuk është se ka pasur shumë zgjedhje për të bërë. Sa i përket fushatës së tij negativiste, duket se e ka pasur rrugën e vetme. Por ajo ka disa probleme serioze. E para, negativiteti kundër Ramës është i përciptë dhe jo thelbësor siç vetë PD-ja e ka pasur në retorikën e saj prej vitit 2000. Përpjekja për përbaltje të Ramës është ngecur në detaje banale, si shtëpia e xhaxhait të gruas, trualli i gruas, kur nuk ishte grua e Ramës, vonesa e votimit të tre ligjeve, dhe deri tek shpikja e mosvotimit të amnistisë. Në sulmet kundër Ramës mundojnë tashmë arsenali i akuzave për Tiranën, pasi pasardhësi i tij që ka uzurpuar Bashkinë, ka bërë gjeste spektakolare klienteliste, dhe plani i tij për rregullimin e Tiranës është një plan biznesi për të kthyer përfundimisht kryeqytetin në një fjetore gjigante betoni, ndërtuar nga njerëzit e Familjes.

Në sulmet ndaj Ramës mungojnë po ashtu argumentet politikë, apo biografikë, siç PD ka bërë më parë. I kompleksuar nga historia e shëmtuar e kapjes së shtetit nga e bija dhe i biri, Berisha duket se po e sulmon Ramën deri në atë masë, sa ti thotë, mos mi prek fëmijët se të shava. Ai po sillet në këtë fushatë si një plak i frikësuar më shumë për fatin e fëmijëve, se sa për fatin e partisë së tij. I kompleksuar nga përfshirja e të birit në Gërdec dhe në historitë e tjera të sekserllëqeve, i kapur mat me të bijën që shet firmën e tij për 3 milion euro, i pafjalë për historitë e pabesueshme të pareve të gruas së tij të pabëra kurrë transparente në emër të bamirësive, Berisha më shumë se sa po bën një fushatë negative, po e përdor negativitetin si shantazh që opozita të mos bëjë fushatë negative ndaj Familjes së tij.

Fjalimet e tij dhe të Topallit kundër Ramës kanë një fjalor tërësisht sipërfaqësor dhe një gjuhë mediokre, sa të duket se flasin thjesht për të larë gojën.

Elementi më i rëndësishëm i fushatës së tyre, diversioni, duket se i është besuar Kastriot Islamit. Për shkak të aftësisë që Islami ka për të mos pasur turp kur bën sikur parashikon, PD e ka kthyer atë në një Kasandër fallxhore, që u shpjegon socialistëve çdo ditë se si do ta pësojnë ata duke u përçarë dhe duke ia dhënë pushtetin Berishës për shkak të kësaj përçarje. Njësoj si para koalicionit të LSI me PS, kur Islami parashihte se po të bashkohej LSI me PS humbiste, por dhe po të ishin veç, humbiste, edhe tani ai interpreton çdo zhvillim të ditës në funksion të idesë se socialistët nesër do përçahen dhe pushtetin do ta marrë Berisha. Fjala vjen, nëse Rama flet për bujqësinë, Islami e shikon këtë si shenjë se ka frikë nga fshati se Meta do bëhet me Berishën, nëse flet për fasonët, thotë se ka frikë nga fasonet se do t’ia marrë Meta e do tia çojë Berishës, nëse flet për KQZ-në, ai e interpreton si frikë nga Meta që do ti marrë KQZ-në, nëse flet për turizmin, ai e shpjegon me frikën se do fitojë Monika në Lezhë dhe do tia çojë mandatin Berishës, nëse Rama flet për taksat, ai e shpjegon këtë me frikën që ka Rama se mos Meta nuk mbështet taksën progresive dhe ikën tek Berisha, dhe nëse shtriqet apo i hapet goja në autobus, Islami e shpjegon me faktin që ka ngelur pa gjumë nga frika e Metës. Është ekzaktësisht refleksion i traumës që i ka prodhuar Berishës ikja e Metës nga koalicioni. Nuk ka rëndësi se ai po bën një Kasandër qesharake, por thelbi i detyrës që ka marrë përsipër në këtë fushatë elektorale. Shfaqja e tij e përditshme në media së bashku me Berishën, me hapësirë gati të njëjtë, vizaton profilin real të fushatës së PD-së, që bazohet tek një negativitet i përciptë dhe diversion banal. E thënë më shqip, dy tezat që Berisha po përdor në këtë fushatë, janë që Rama është i keq dhe hajdut si unë, dhe se fitoren nuk do ta gëzoni se Meta do të shkojë me Berishën.

Kjo është fushata më disfatiste që PD-ja ka bërë që nga viti 1991 në këtë vend. Edhe në vitin 1997, kur ajo u dërrmua si forcë politike, e ka pasur më dinjitoze dhe krenare fushatën, se sa kjo fushatë, që reflekton dorëzimin dhe pafuqinë e Berishës për të ofruar ndonjë gjë të re.

Por ajo që është dhe më fyese për PD, është fakti se duke qenë se pasardhësi i Berishës po përgatitet në hije në Bashki, asnjë figurë tjetër e PD-së aktive nuk guxon të bëhet figurë aktive në këtë fushatë, duke ia besuar zërin e dytë diversionit të fushatës, Kastriot Islamit, i cili nuk rrezikon askënd në PD për ti zënë vendin. Kështu, shpresa dhe ngushëllimi i vetëm i demokratëve në këtë fushatë, nga mënyra se si po zhvillojnë fushatën, janë thjesht dy, Berisha dhe Kasandra. I pari thotë që Rama nuk është më i mirë se unë, dhe Kasandra që thotë se Doktori mund tua ngrijë buzëqeshjen duke u marrë Metën. Përfytyroni sa optimist mund të bëhet njeriu për këto dy arsye para 23 qershorit, duke pasur në një anë gjuhën e Fahriut në gojën e Berishës dhe në anën tjetër gjuhën e Kasandrës në gojën e Islamit, kur kanë kaq vite që këto dy punë, për pak lekë u bënte Fahriu.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›