Rama në Durrës: Depozitat e shqiptarëve, në rrezik. Berisha si turist i sapozbritur në Shqipëri
Kreun i PS, Edi Rama ishte ditën e sotme në qytetin e Durrësit ku prezantoi programin e PS për një Rilindje Shqiptare. Ai akuzoi qeverinë dhe kreun saj, Sali Berisha se thjesht i ka zhbërë vlerat kulturore dhe historike të qytetit të Durrësit.
Sot jemi të vetëdijshëm se Durrësi bashkë më Krujën janë 2 pika shumë të forta strategjike për të filluar rrugën e Rilindjes. Romakët ndërtuan në Durrës amfiteatrin më të madh jashtë Romës, ndërsa qeveria e Saliut e bëri Durrësin pikë hyrje për plehrat që vijnë nga Europa. Ne do ta kthejmë Durrësin në një kantier të një transformimi historik, tha Rama.
Duke iu referuar konventës së djeshme të PD për bujqësinë, Rama ironizoi Kryeministrin duke e cilësuar si një turist të sapozbritur në Shqipëri që po zbulon vendin. Sipas Ramës, rezultati i këtyre takimeve është një konfuzion dhe një propagandë që nuk rri dot më në këmbë, sepse shifrat kundërshtojnë njëra- tjetrën.
Dje në konventën e tyre u thanë disa gjëra shumë interesante se në fakt me partinë familjare me në krye Saliun, fshati s`ka asnjë shans të dalë nga rrënimi. U tha se janë shpenzuar 5 milionë dollarë, që i bie 22 dollarë për familje dhe 1 litër naftë në muaj. U tha një gjë tjetër se tashmë partia e Kryeministrit të vetmuar nuk ka një program edhe pas kopjimit të programit tonë. Berisha po shfaqet si një turist nëpër Shqipëri që po njeh më në fund vendin që keqeverisur për 8 vjet me radhë. Le ti lëmë në rrugën e tyre të vetmisë së madhe, – shtoi Rama.
Duke iu referuar ekonomisë, kreu i PS tha se nëse nuk ndërhyhet menjëherë janë në rrezik depozitat e qytetarëve shqiptarë, ndërsa akuzoi qeverinë për moskompensimin e të ardhurave të munguara me të ardhura të tjera.
Sot pranohet zyrtarisht se 2012 ka pasur rritjen më të vogël ekonomike që prej 2007. BSH pohon se fuqia blerëse ka rënë 10%, për shkak se pagat kanë rënë me 10%. Tendenca rënëse vazhdon edhe në dy muajt e parë të 2013, jemi në kushtet e fundosjes se të ardhurat nga emigrantët, burimi kryesor në vend, vazhdojnë të tkurren. Janë 430 mln dollarë më pak se në 2007, që i mungojnë ekonomisë dhe sjanë kompensuar me të ardhura të tjera. Është përgjegjësi e qeverisë që ta kompensojë me të ardhura të tjera. Ne na duhet një politikë punësimi real, e bazuar në një plan punësimi të detajuar për të krijuar mundësitë për 300 000 vende pune në katër vitet e ardhshme, tha Rama.
13 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Rama në Durrës: Depozitat e shqiptarëve, në rrezik. Berisha si turist i sapozbritur në Shqipëri burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email