Rama në Shkodër për Kurban-in: Ky libër është e vërteta ime
Edi Rama ka nisur një tur takimesh me lexues të librit të tij Kurban, duke u ftuar në qytete të ndryshme për të firmosur autografe dhe për të folur për librin e sapobotuar nga shtëpia botuese Dudaj. Të mërkurën ai ishte në Shkodër, ku ndër të tjera u tha lexuesve të Kurban-it se këtë libër e ka shkruar duke treguar të vërtetën e tij në mënyrë që kjo e vërtetë tu shërbejë dhe të tjerëve dhe jo si një libër autobiografik për të shkuarën. Është kënaqësi për mua tu përgjigjem kërkesave për autobigrafimin e librit. Libri duhet të flasë vetë për veten dhe secili ta krijojë idenë duke e lexuar dhe për mua është kënaqësi që ju ta lexoni, tha Rama para atyre që ishin mbledhur në aktivitetin e organizuar me këtë rast në qytetin verior. Ky nuk është një libër për të shkuarën, por për të ardhmen duke e parë në pasqyrën e së shkuarës. E shkuara është një pasqyrë që vlen për të parë të ardhmen, një pasqyrë që i vlen një populli për të parë rrugën e tij drejt së ardhmes, tha Rama më tej.
Më parë Rama firmosi qindra autografe në Tiranë e në Durrës, ndërkohë që libri i tij është kthyer në një fenomen mediatik.
