Sot prova e radhës e marrëveshjes PD - PS

Kodi Rrugor kërkon 84 vota në Parlament
Sot pritet miratimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor, që kërkon 3/5-at në Kuvend, ndërsa dje në mbledhjen e Komisionin parlamentar të Ligjeve u diskutua gjerësisht mbi projektligjin për disa ndryshime në këtë kod, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar prej 84 votash në Kuvend.
Ndryshimet, që pritet të miratohen sot me konsensus, në Kodin Rrugor parashikojnë 4-fishimin e një pjese të madhe të gjobave për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të
Transporteve, bëhet fjalë për disa ndryshime ligjore që kanë të bëjnë me 4-fishimin e një pjese të madhe të gjobave për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Megjithëse ishin dakord me projektligjin, deputetët e opozitës u shprehën dje se 4-fishimi i gjobave është tepër i lartë. Më kërkesë të opozitës, i pranishëm në komision ishte dhe ministri i Transportit, Sokol Olldashi, i cili dha shpjegime rreth ndryshimeve që mund të ketë Kodi Rrugor në të ardhmen. Para deputetëve të komisionit, Olldashi theksoi se aksidentet kryesisht shkaktohen nga shtresat e mesme dhe të larta.
Sipas tij, janë këto shtresa që kanë makina të reja, që ecin shpejt dhe shkelin më shumë rregullat e qarkullimit rrugor.
“Shumica e aksidenteve nuk na vijnë nga shtresat e varfra të popullsisë, nuk na vijnë nga këto shtresa që kanë makina 20-25-vjeçare. Shumica dërrmuese e aksidenteve na vijnë nga shtresa të mesme dhe të mirëqena të shoqërisë, që kanë dhe makina më luksoze, që ecin edhe më shpejt dhe që bëjnë telashe të përhershme në qarkullim”, tha Olldashi.
I pyetur nga deputetët në lidhje me aksidentet që shkaktojnë adoleshentët që nuk disponojnë leje drejtimi, shefi i Qarkullimit Rrugor në Policinë e Shtetit, Shkëlzen Aliaj, u shpreh se penaliteti është nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë dhe tërheqjen e lejes së drejtimit personit që i ka dhënë mjetin një personi pa patentë.
“Nëse fëmija i merr makinën prindit, është e vështirë ta ligjërosh, sepse në të gjitha rastet prindi vjen në organet e policisë dhe thotë që mjetin ma ka marrë pa dijeninë time dhe mbetet penalitet vetëm në kuadër të gjobës”, tha Aliaj.