LSI: Prokuroria të nisë hetimin për korrupsion ndaj Dritan Priftit

Pas dëshmisë së Bekim Halilajt, sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i bën thirrje prokurorisë të mos mbyllë sytë ndaj fakteve për korrupsion, ndërkohë që kujton se “Ilir Meta s’ka betejë me Drejtësinë, por betejë për Drejtësi dhe kundër manipulimit e falsifikimit”
Sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deklaroi dje lidhur me gjyqin Meta-Prifti, që po zhvillohet në Gjykatën e Lartë se, “në video-përgjim tregohet qartë se provat janë manipuluar dhe falsifikuar me qëllim për të mashtruar opinionin publik”.
Në një konferencë për shtyp, sekretari i LSI-së, Luan Rama tha se, “akuza është ngritur mbi dëshmi dhe prova të falsifikuara të një dëshmitari , i cili në çdo seancë vihet përballë faktesh e dokumentesh ligjore, që provojnë pathemelësinë dhe falsitetin e akuzës së tij. Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nuk është në betejë ligjore dhe politike me drejtësinë, por në respekt të autoritetit të organeve të drejtësisë, ai është në betejë për drejtësinë”, theksoi Rama.
Sipas tij, në seancën gjyqësore të zhvilluar dje dëshmitari i Prokurorisë, biznesmeni Bekim Halilaj, pohoi me një sërë shkresash dhe dokumentesh zyrtare se, akuzat e Dritan Priftit janë jo vetëm një mashtrim, por edhe një manipulim i konkretizuar ky edhe me atë që dokumentohet në video përgjimin e tij.
“Vetë dëshmitari i prokurorisë Bekim Halilaj, ka provuar dje (pardje) me një mori shkresash dhe dokumentesh zyrtare që akuzat e Priftit janë jo vetëm një mashtrim por edhe një manipulim konkretizuar kjo edhe me atë që dokumentohet edhe ne video-përgjimin e tij. Më parë se sa t’ju referoj disa dokumente konkrete në lidhje më këtë që thashë, për ta kuptuar më qartë se çfarë ka ndodhur realisht mjafton t’ju sjell vetëm një shembull që gjithnjë sipas dëshmitarit të prokurorisë, biznesmenit Bekim Halilaj, një sasi nafte prej 30.000 tonë ose konvertuar në vlerë rreth 10 milion dollarë, i është dhënë në mënyrë të fshehtë që më 10 shkurt, 3 javë më përpara se sa është realizuar video-përgjimi dhe gjithashtu 3 javë më përpara se sa ishte caktuar data e ankandit, kompanisë ‘TEA construction’”, tha Rama.
Sipas dëshmitarit Halilaj, vijon ai, dhe dokumenteve që ai referon, pronari i kompanisë “TEA construksion” me një marrëveshje, që nuk e ka ditur komisioni i cili zhvillon ankandin, e që mban datën 10 shkurt, për të përfituar sasinë e naftës, është gjithashtu ortak në fabrikën e tullave me bashkëshorten e dëshmitarit tjetër të prokurorisë, Dritan Priftit. Mjafton ky fakt për të kuptuar lidhje, marrëdhënie, konflikt interesi, pazare korruptive apo afera korruptive që nga zhvillimet e djeshme e shndërrojnë tashmë procesin gjyqësor ndaj Ilir Meta në proces të mbyllur për të çelur një proces gjyqësor ndaj dëshmitarit kryesor të prokurorisë”, vijoi më tej Luan Rama.
Sekretari i LSI-së, u shpreh në përfundim të deklaratës së tij se, “dua të nënvizoj faktin që Ilir Meta nuk është në betejë ligjore dhe politike me drejtësinë por në respekt të autoritetit të organeve të drejtësisë Ilir Meta është në betejë për drejtësinë. Natyrisht mbi bazën e së vërtetës, mbi bazën e dokumenteve që dëshmohen dhe vihen çdo ditë edhe përpara trupit gjykues në seancën e shqyrtimit gjyqësor të çështjes. Dëshmohet dhe provohet pathemelësia dhe pavërtetësia, falsiteti dhe manipulimi i fakteve dhe i provave. Organet e drejtësisë kanë për mision të bëjnë drejtësi, të japin drejtësi dhe ne jemi këtu që të bëhet drejtësi dhe të fitojë drejtësia përballë falsitetit, manipulimit dhe gjithçkaje që lidhet me atë çfarë ka ndodhur dhe që po ndodh, e shtyrë jo nga interesa ligjore por nga interesat korruptive, e veprimeve të fshehta, e veprimeve që bien ndesh me të gjithë frymën ligjore dhe me të drejtën ligjore që ndërtohen marrëdhëniet midis institucioneve dhe normon konkurrencën, garën dhe gjithçka që lidhet me atë çfarë thashë. Edhe një herë, të bindur se drejtësia do të fitojë, ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi çdo ditë duke denoncuar dhe duke vënë në sytë e opinionit publik të vërteta që burojnë nga shkresa dhe dokumente zyrtare që lidhen më çështjen në fjalë”, përfundoi Luan Rama.
Dy ditë më parë, ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti u paraqit në gjykatë për të dëshmuar lidhur me video-përgjimin e realizuar prej tij, dy vite më parë, por njëherazi me dëshminë e tij në Gjykatën e Lartë, është hedhur dritë mbi një super skandal të vetë ish-ministrit Prifti, gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve shtetërore. Ka qenë dëshmitari i prokurorisë, biznesmeni Bekim Halilaj, ai që hodhi dritë mbi aferën e Dritan Priftit, i cili me firmë dhe vulë të tij, i jep tenderin e naftës, bashkëshortes, Meri Prifti.
Në cilësinë e dëshmitarit të Prokurorisë, biznesmeni, Bekim Halilaj tregon në sallën e gjyqit, se si ka marrë pjesë në tenderin e shpallur nga Ministria e Ekonomisë, për naftën bruto, si biznes i interesuar. Sipas tij, tenderi ishte lajmëruar fillimisht në datën 1 mars, për tu shtyrë më pas për në 10 mars, ndërsa tenderi final është zhvilluar në një datë tjetër. Por, fituesi i tenderi s’ka qenë asnjë nga pjesëmarrësit në ankand në datat (1 – 10 mars), por vetë bashkëshortja e Dritan Priftit, Meri Prifti, e cila është ortake e subjektit tregtar “Fortis”. Pikërisht kjo kompani ka fituar tenderin, për të cilën, koha e lidhjes së kontratës kishte nisur më 10 shkurt, pra, 1 muaj para zhvillimit të tenderit ligjor. Nga këtu kuptohet se shtyrja disa herë e fituesit të tenderit në datat 1 – 10 mars, ka qenë në funksion të manipulimit, pasi fituesi real ishte shpallur 1 muaj më parë, pikërisht më 10 shkurt.