Rama në Uashington: SHBA, mbështetje 100% “Ballkanit të Hapur”

Kryeministri Edi Rama deklaroi të mërkurën nga SHBA se “jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka përqafuar plotësisht “Ballkanin e Hapur”, është 100% në mbështetje të tij”.
Në një bashkëbisedim me gazetarët shqiptarë në Uashington, Rama tha se gjatë takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Blinken ka folur për “Ballkanin e Hapur dhe se mbështetja është 100%”.
“Jam i bindur që në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në “Ballkanin e Hapur”, shtoi Rama.
Në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, Rama tha se “nuk dua të nxitohem as të flas para kohe për gjëra që janë në proces, ne po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim sesi mund t’i vendosim në tryezë”.
“Dihet qëndrimi ynë, ne jemi shumë mbështetës të dialogut, këtë e kemi diskutuar edhe me Sekretarin Blinken, nevojën për thellimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe domosdoshmërinë që me dialog të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë”, nënvizoi Rama.