Rama në kantierin e Automotoparkut në Elbasan: Në 2027 duhet të jetë gati për garën e parë

Punimet në kantierin e Automotoparkut në Elbasan vijojnë, teksa kryeministri Edi Rama bëri një inspektim këtë të shtunë (2 mars). Duke e konsideruar atë si një motor tjetër për ekonominë e vendit, Rama tha se ky projekt duhet të përfundojë deri në vitin 2026, në mënyrë që të mund të mbajë garën e parë në vitin 2027.
Duke qenë një aktivitet që pritet të sjellë deri në 100 mijë njerëz si spektatorë, kreu i qeverisë kërkoi që t’i kushtohet vëmendje maksimale edhe peizazhit përreth Automotoparkut që të kenë standarde të larta estetike.
“Duhet me pas parasysh, circuiti Formula Uno, që nëse ne do ta kemi gati në 2027 për garën e parë, duhet që ne nga ana jonë ta shohim jo vetëm nga pikëpamja teknike që ka vetë circuiti, por edhe e peizazhit sepse është promovim shumë i madh për Shqipërinë dhe duhet të bëjmë një projekt edhe për të gjitha sistemimet rreth e rrotull që janë pjesë e imazhit të kamerave. Edhe për shtëpitë rreth e rrotull, peizazhin për kodrat, për mbjellje pemësh, për konsolidim të imazhit të fasadave për të krijuar një pamje që të jetë një –pamje e një vendi tërheqës. Duke pas parasysh që ajo sjellë 50 mijë deri në 100 mijë njerëz që vijnë e ndjekin si spektatorë, duhet patur parasysh që të gjithë segmentet të jenë me standarde estetike të larta dhe duhet punuar paralelisht për këto. Paraprakisht do bëjmë edhe gara të Formula 2 që bëjnë kolaudimin dhe pastaj 2027-2028 duhet të jetë momenti. Duhet të ecim shumë fort që në 2026 të mbarojë ky projekt”, tha Rama.
Pista e cirkuitit të parë shqiptar do të jetë 5,3 km e gjatë me një sipërfaqe prej mbi 500 mijë m2 përbri lumit Shkumbin, në zonën e Krastës së Elbasanit, sipas standardeve të FIA, FIM dhe CIK.
Do të ketë gjithashtu edhe muzeun RETRO, akademi motosporti dhe akademi të edukimit mbi sigurinë rrugore, poligone profesionale testimi, pistë jashtë rruge dhe zonë sportive mjetesh ajrore ultra-të-lehta.
/rtsh.al/