E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama në shënjestër të protestave studentore”- Le Figaro: Të rinjtë i kërkojnë dorëheqjen, kryeministri refuzon

Prestigjiozja franceze “Le Figaro” i ka kushtuar një artikull protestave që prej një jave po zhvillohen në Shqipëri, duke vënë në fokus përplasjet në Tiranë dhe refuzimin e kryeministrit Edi Rama për të dhënë dorëheqjen.

protestat

Në shkrimin e saj, “Le Figaro” e përshkruan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë si një nga pikat kryesore të përplasjes mes protestuesve dhe forcave të rendit. Për orë të tëra, deri në orët e natës, asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo arterie simbolike e kryeqytetit, ku ndodhen edhe zyrat e kryeministrit Edi Rama.

Kreu i qeverisë është në shënjestër të një lëvizjeje të gjerë proteste që ka nisur të martën. Në turmat e protestuesve ka shumë studentë dhe nxënës të shkollave të mesme, vajza dhe djem, disa prej tyre në moshë shumë të re.

“Ora jote po afron”, është një nga thirrjet që, sipas “Le Figaro”, dëgjohen gjatë demonstratave kundër kryeministrit.

Artikulli përshkruan përshkallëzimin e situatës, me protestues që kanë hedhur gurë, fishekzjarrë dhe kokteje molotov në drejtim të forcave të rendit.

Policia është kundërpërgjigjur me autobotë me ujë dhe sasi të mëdha gazi lotsjellës. Sipas raportimit të medias franceze, gjatë ndërhyrjeve janë përdorur edhe plumba gome, në atë që drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e ka cilësuar si përdorim të kufizuar.

Tensionet kanë shoqëruar protestat gjatë ditëve të fundit, ndërsa bulevardi kryesor i kryeqytetit është kthyer në një nga pikat më të nxehta të përballjes mes demonstruesve dhe policisë.

Rama nuk pranon dorëheqjen

Në fokus të raportimit të medias franceze është edhe qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, i cili përjashton mundësinë e dorëheqjes pavarësisht protestave dhe thirrjeve të vazhdueshme për largimin e tij.

Demonstratat janë shoqëruar me kërkesa për ndryshim politik dhe me përplasje të forta në rrugët e Tiranës. Ndërsa protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit, qeveria ka dënuar aktet e dhunës dhe sulmet ndaj institucioneve e policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›