E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama “në shtëpinë” e Berishës: “Qeveria e ka braktisur Tropojën”



Shaban Sulçe
Për herë të parë që pas marrjes së drejtimit të Partisë Socialiste, Edi Rama ka vizituar Tropojën. Kreu i PS-së është ulur këmbëkryq në një nga bastionet e PD-së, ku për më shumë se një dekadë nuk shkel as kryeministri, Sali Berisha. Pikërisht në skajin më verior të vendit, kreu i selisë rozë ka zhvilluar dje turin “Dialog me Shqipërinë” në një takim me banorët e qytetit të Bajram Currit. Gjatë vizitës së tij të djeshme, Rama fillimisht është ndalur në Bujan të Tropojës, ku ka bashkëbiseduar me banorët e këtij fshati. Banorët e Bujanit i kanë dhuruar kryetarit të PS-së një fjalor me shprehje dhe fjalë të rralla të gjuhës shqipe. Takimi në Bujan u bë në mënyrë simbolike pranë shtëpisë së heroit kombëtar, Mic Sokoli. Rama shoqërohej në këtë tur takimesh nga deputetët socialistë, Namik Dokle dhe Sadri Abazi.
Vizita e planifikuar
Sipas burimeve në selinë rozë, Rama e ka planifikuar më shumë se një muaj më parë zhvillimin e turit “Dialog me Shqipërinë” në rrethin e Tropojës. Në datën 15 mars, kreu i selisë rozë ishte duke zhvilluar këtë tur takimesh në rrethin e Kukësit dhe kishte planifikuar që më pas të zhvendosej drejt Tropojës. Madje
kryetari i Partisë Socialiste të rrethit të Tropojës kishte marrë masat organizative për pritjen e kryesocialistit Rama. Por ndërsa pritej realizimi i kësaj vizite, ajo u anulua për shkak të lajmit që vinte nga Tirana, ku ndodhi tragjedia e Farkës dhe ku humbën jetën 16 persona. Ashtu siç u njoftua zyrtarisht nga selia rozë, Rama ndërpreu turin “Dialog me Shqipërinë” në veri të vendit, për t’iu gjendur pranë familjeve të viktimave që humbën jetën në liqenin e Farkës.
Rama
Gjatë fjalës së tij në takimin me banorët e Bajram Currit, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama tha se Tropoja ka mbetur e braktisur nga pushtetet dhe qeveria aktuale. Ai tha se gjendej në Tropojë për të dëgjuar hallet dhe shqetësimet e përditshme të banorëve, zgjidhjet e të cilave do të jenë pjesë e programit të Partisë Socialiste. “Nuk kam ardhur këtu të mbaj një fjalim dhe të iki, por kam ardhur t’ju dëgjoj. Ne kërkojmë të ndërtojmë një program që t’ju jap zgjidhje disa problemeve kryesore, që vendi të mund të hyjë në rrugë të mbarë”, - tha Rama. Kreu i selisë rozë akuzoi politikën e vjetër si shkaktare të izolimit dhe mungesës së zhvillimit në vend. “Ne jemi të izoluar nga politika e vjetër e paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe e korrupsionit, nga politikanët, të cilët në emër të së majtës apo të djathtës, na kanë ndarë, na kanë përçarë, na kanë futur në sherr, duke hapur mes nesh kanale dhe hendeqe, kanë hapur mes nesh gropa, duke na bërë që të grindemi me njëri-tjetrin deri në fshatin më të humbur, se kush është socialisti, e kush është demokrati. Duhet t’i themi njëri-tjetrit, përpara se të jemi socialist e demokrat, ne jemi shqiptare e shqiptarë, ne jemi prindër dhe njerëz me dinjitet, që nuk mund të nëpërkëmbemi as të keqpërdoremi nga një grusht njerëzish, që në emër të flamujve na kanë mbajtur peng për 17 vjet”, - u shpreh Rama.
Politika e re
Kryetari i Partisë Socialiste tha se tashmë ka ardhur koha për një politikë të re në shërbim të gjithë shqiptarëve dhe zgjidhjes së halleve dhe shqetësimeve të tyre. “Ne na duhet politika e halleve tona dhe jo politika e politikanëve. Kjo politikë na ka lënë këtu ku jemi dhe kësaj politike ne duhet t’i japim fund, duke u bashkuar, jo për një parti apo një tjetër, por për të gjetur një parti që ka programin më të mirë, ekipin më të mirë dhe drejtuesin më të mirë. Për ta zgjedhur sot, ashtu si kundër për të mos ta zgjedhur nesër, duke ju thënë partive se nuk ju votojmë se kush është më i forti, por se kush do ta çoj fëmijën tim në shkollë, jo të më premtosh se do bësh gjithë Shqipërinë me internet, ndërkohë që Shqipëria sot nuk ka drita”, - tha Rama në takimin e djeshëm me banorët e Tropojës.

26 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›