Sabri Godo: “Berisha gaboi me Kushtetutën”
Sabri Godo, një prej hartuesve kryesorë të Kushtetutës, ka kritikuar hapur dy partitë e mëdha, PS e PD, për ndryshimin që i bënë kësaj Kushtetute. Godo i ka cilësuar këto ndryshime si të nxituara, madje nuk ka ngurruar që të adresojë kritika në drejtim të kryeministrit Berisha për mënyrën se si ai e konsideronte Kushtetutën, miratuar dhe votuar nga shumica e shqiptarëve në vitin 1998. “Është e kotë të qahemi për atë që u bë, vetëm se duhet të frenohen disa gjëra, që mbrëmë në televizion Berisha tha ‘Kushtetuta e vjetër’. A ishte një lajthitje aty për aty, apo vërtet e quan këtë një kushtetutë të vjetruar, që duhet vënë në dollap, këtë duhet ta mendojë dhe ta thotë prapë ai, sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë ndryshim të kushtetutës në asnjë vend, është termi i gabuar, ka vetëm amendim të kushtetutës dhe kjo kushtetutë u amendua në katër pika. Unë mund të isha dakord vetëm më atë të presidentit vetëm me një kusht, në qoftë se në njëfarë mënyre zvogëlohet përgjegjësia politike e presidentit, atëherë duhet të gjejmë një mënyrë tjetër për të balancuar atë që quhet pushtet legjislativ”, - tha Godo, gjatë fjalimit të tij të djeshëm në Asamblenë Kombëtare të Partisë Republikane. Godo ka kritikuar gjithashtu qeverisjen për militantizmin e shfaqur haptazi përsa i përket emërimeve në administratë. Si kryetar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Republikane, Godo tha se PR-ja duhet të kërkojë dhe të garantojë një kontratë të re mes shtetit dhe nëpunësit.
“Ne kemi fizionomi të qartë, por sa punojmë për ta qartësuar fizionominë tonë, që ka të bëjë me pronën, familjen, moralin shoqëror dhe interesat e kombit. Ne duhet të parashtrojmë disa ide tonat zgjedhësve. Ky aparat qeveritar, administratë publike që kemi përballë, nuk i përgjigjet më kohës, nuk është eficente sa duhet dhe duhet të ndryshojë në koncept dhe jo në njerëz. Këtu vjen një parti dhe fillon e ndryshon nëpunësit e vet, duke i mbushur me militantë, kështu nuk do të kemi një administratë eficente. Ne duhet të kërkojmë tani, që të bëhet një kontratë mes shtetit dhe nëpunësit. Këtu ka një problem të madh dhe e dinë të gjithë, të gjithë kryetarët e komunave dhe bashkive varen nga qendra. Çfarë lloj decentralizimi është ky?” - tha Godo. Ai nuk la pa përmendur edhe çështjen e Gërdecit. Ai i adresoi kritika qeverisë për mënyrën se si i ka anashkaluar përgjegjësitë, qoftë edhe duke mos zhvilluar një analizë për këtë ngjarje të rëndë. “Duhet që kjo qeveri të bëjë një analizë të ngjarjes së Gërdecit, nuk ndodh gjëkundi në botë që të ketë një shpërthim, apo një fatkeqësi të natyrës, që të tronditë vendin dhe të mos dëgjohet një analizë e Këshillit të Ministrave, që thotë pse ndodhi dhe si ndodhi. Këtu unë akoma nuk e kam dëgjuar një analizë të tillë, dhe ka mbetur në shesh vetëm Fatmir Mediu”, - tha Godo.
26 Prill 2008