Mediu kërkon një post ministri për PR-në
Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane, gjatë zhvillimeve të punimeve të Asamblesë Kombëtare të PR-së i kërkoi Asamblesë që t’i japë autoritetin kryesisë së partisë për të nisur negociatat me kryeministrin Berisha për të përfshirë në kabinet PR-në. Ndonëse republikanët kërkuan fillimisht zbardhjen e çështjes së Gërdecit, ata kanë ndërruar mendje për përfshirjen në qeveri. “Nuk besoj se në të gjithë aktivitetin qeverisës kjo qeveri dhe Parlamenti të mos ketë njohur korrektesën maksimale dhe angazhim maksimal politik të PR-së si vlerë e koalicionit. Por jo rrallë kjo korrektesë është konsideruar si dobësi. Pa dyshim, ka një marrëveshje për të bashkëpunuar dhe vazhduar qeverisjen dhe unë mendoj se Asambleja Kombëtare duhet t’i japë sot autoritetin kryesisë që të negociojë për vendin në qeveri. Unë vlerësoj gjithë mbështetjen e PR-së pas ngjarjes së Gërdecit. Mendoj se dorëheqja ime është brenda atyre normave dhe parimeve republikane. Të pranojmë përgjegjësitë politike edhe kur nuk jemi përgjegjës të drejtpërdrejtë në kuptimin ligjor. Por mbi të gjitha të pranojmë përgjegjësitë morale, dhimbjen që u shkaktua dhe nuk mundet të rikuperohet, pavarësisht ndjesës së thellë për çdo humbje. Ne duhet të jemi në qeveri dhe të jemi në vendin që duhet dhe na takon, duke kontribuar realisht dhe seriozisht në qeveri”, - tha Mediu.
26 Prill 2008