E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në tryezë me aleatët

08/02/2010  Negociatat te Presidenti mes PD-PS për krizën politike në vend
Vendosen piketat mbi strategjinë që do të ndiqet për protestat dhe bisedimet
Partitë opozitare mblidhen sërish sot për t’i dhënë formën përfundimtare strategjisë që do të ndiqet në vijim nga ana e këtij kampi. Burime pranë selisë rozë bënë me dije se gjatë ditës së sotme kreu socialist do të takojë drejtuesit e partive aleate, ku do të diskutohet pikërisht për situatën politike në vend. Kështu, përqendruar në krizën politike, kampi opozitar do të fokusohet në dy drejtime. Së pari, në përcaktimin e qartë dhe të palëkundur të kërkesave për mazhorancën. Për këtë arsye, është vendosur që takimi mes PS-së dhe aleatëve të saj të zhvillohet përpara tryezës ku priten të ulen te kreu i shtetit dy drejtuesit e partive kryesore në vend, Sali Berisha dhe Edi Rama. Njëkohësisht, me qëllim që në këtë tryezë të jetë i gjithë zëri i opozitës, bashkëbisedimi me aleatët do t’i shërbejë lidershipit socialist, që përveç mbështetjes së këtyre partive në rrugën e zgjedhur për të kundërshtuar qeverisjen aktuale, nga ana tjetër do të marrë garancinë e tyre për të çuar deri në fund aksionin politik. Madje, ndalur te ky aksion, kampi opozitar pritet të formalizojë dhe nismën më të fundit të ndërmarrë prej tij, krijimin e frontit opozitar. Për pasojë, duke e përqendruar oponencën e tyre në dy kahe, kampi i majtë shfaq qartë se tashmë nuk mund të flitet për negociata, pa u garantuar fillimisht që mazhoranca të pranojë hapjen e kutive të votimit. Vendosmëria për rinisjen e protestave, nëse nuk do të japin rezultat negociatat mes PD-PS, është parë qartazi nga vetë turi që ka ndërmarrë PS-ja në të gjitha qytetet kryesore të vendit. Kështu, duke iu referuar krizës së gjithanshme, kjo në konceptin opozitar, ky kamp do të japë dhe arsyet se pse Partia Socialiste ka ndërmarrë dhe do të vijojë t’i rimarrë protestat në të gjithë vendin. Nisur nga ky gjykim mbi situatën në vend, Partia Socialiste ka zhvilluar takimet e para në kryeqytet dhe Durrës, ku parashtroi papara publikut qëndrimet, kërkesat, si dhe hapat që do të ndjekë në vijim kjo parti, përkundrejt mazhorancës dhe Parlamentit. Ndërkohë që nesër do të jetë qyteti i Fierit, stacioni ku do të ndalojë një tur i tillë i lidershipit socialist.
Xhaçka: Meta dhe Berisha diversion me rezolutën
“Ne rikërkojmë sot tryezën e Kryetarit të Shtetit, Presidentit të vendit, duke theksuar se zvarritja e dialogut nga Sali Berisha nuk e ul dot ritmin e përgatitjeve tona për protestën e madhe të Frontit Opozitar, deri në largimin e Qeverisë. Kërkojmë dialog për zgjidhje ose do të vijojmë me protesta për zgjedhje”. Kjo ishte kundërpërgjigjja e selisë rozë ndaj deklaratës së kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, lidhur me kërkesat e PS-së. Sipas deputetes së PS-së, Olta Xhaçka, Meta dhe Berisha bëjnë diversion ndaj rezolutës së KiE-së. “Ilir Meta vazhdon të përsërisë fjalët boshe të Sali Berishës, ndërkohë që rezoluta, që aq shpesh evokohet në këtë logjikë të çalë, pranon se Shqipëria është në krizë. Rezoluta kërkon dialog. Sali Berisha e Ilir Meta bëjnë diversion, duke na kthyer 13 vjet pas, kur Sali Berisha refuzonte të pranonte dialogun, vullnetin e popullit e vullnetin e palëve. U desh detyrimisht të ndërhynin ndërkombëtarët për të vendosur rendin e munguar”, vuri në dukje Xhaçka. Sa i takon një çështjeje të tillë, PS-ja, sipas saj, do të kërkojë çrrënjosjen e korrupsionit elektoral përmes hapjes së kutive të gënjeshtrës dhe mashtrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›