E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama nën urdhrat e padronit të ri, Koço: Të shtiem në dorë bregdetin

24-08-2013 / Gazeta 55

Beteja ka nisur dhe ka marrë përmasat e një polemike të hapur tashmë me protagonistë dhe përgjegjës direkt lidhur me të ashtuquajturën “betejë për zaptimin e bregdetit”. Përplasja është brenda llojit si një lukuni çakejsh, kush e kush të kapë copën e madhe. Edi Rama tashmë është në dorën e njeriut beton, Koço Kokëdhima ndërsa prerja e kokave do jetë fatura e fundit për drejtuesit vendorë socialistë Shpëtim Gjika, Vangjush Dako, Stefan Çipa dhe çdo drejtues tjetër që mund të bëhet pengesë për realizimin e planit të madh të betonizimit të bregdetit nga Rama – Koço & Co

Koço Kokëdhima kërkon të marrë frenat e dorës si padroni i ri i Partisë Socialiste dhe për këtë Edi Rama i ka rezervuar të gjithë hapësirën e nevojshme. Fjala është për një fshesë të koordinuar dhe mirëorganizuar nga Rama dhe Koço për pastrimin e PS-së nga çiliminjtë e bashkive socialiste, kryesisht ata të bregdetit. I angazhuar me punët e mëdha të qeverisë së pas shtatorit, ku përfshihet ndarja e ofiqeve për klientët e pushtetit, Rama i ka ngarkuar Kokëdhimës spastrimin e Partisë Socialiste nga bajraktarët e bregdetit. Kjo do të realizohet në disa faza dhe fillimisht po tentohet distancimi nga PS të drejtuesve si Shpëtim Gjika, Vangjush Dako apo dhe Stefan Çipën e Bashkisë së Sarandës. E gjithë çështja është për planin rregullues të bregdetit ku bëhet fjalë për pajtimin e një kompanie ruse e cila do të ketë në dorë të gjithë planin e ndërtimeve përgjatë bregdetit dhe për këtë partner dhe ortak i vetëm njihet Koço Kokëdhima dhe pas tij, kuptohet, është Edi Rama. Distancimi i kryetarëve vendorë bëhet për disa arsye. Ramës i intereson që për “imazhin e tij të ri” në vijim të denoncimit të babëzisë së bregdetit, të bëjë disa kurbanë dhe ndër ta, kurbanët e parë do jenë Gjika dhe Dako. Kreu i PS do të shfrytëzojë këtë situatë për kurimin e imazhit të tij, duke u distancuar nga ata që betonizuan hapësirën bregdetare edhe pse, Gjika dhe Dako ndërtimet që “legalizuan” në bregdet, i bënë me lejen e Edi Ramës, duke ndarë me të përfitimet e majme. Gjithashtu, po me të njëjtin qëllim, atë të “spastrimit” të PS, Rama distancon njëherë e përgjithmonë nga punët e biznesit dhe përfitimet nga babëzia e ndërtimit, Shpëtim Gjikën dhe Vangjush Dakon. Punën e tyre do ta bëjë Koço Kokëdhima si njohës i mirë dhe besnik i ndarjes së përfitimeve me ortakët. Dhe nga këtu punët nisin dhe marrim drejtimin e duhur, atë të zaptimit të të gjithë zonës bregdetare në duart e Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës. Kjo është një fakt tashmë dhe s’ka kurrfarë dyshimi se Ramës dhe Kokëdhimës i dhimbset bregdeti nga uzurpimi i tij nga pallatet e ndërtuara pa kriter. I njëjti avaz do vazhdojë. Ndërtimet s’do ndalen, por s’do ketë më të njëjtët ortakë në betonizimin masiv të bregdetit. Ndërsa deri dje ortën e betonit e udhëhiqte Shpëtim Gjika dhe Vangjush Dako, nga nesër e në vijim këtë gjë do ta bëjnë në partneritet Rama me Kokëdhimën. Do jetë këta të dy oligarkët e rinj të biznesit të betonit dhe po këta të dy do jenë pronarët e rinj të të gjithë zonës bregdetare. Një lajm aspak pozitiv, por njëherazi fatkeqët do të jenë qytetarët shqiptarë të cilën besuan broçkullat e “rilindjes” nga një njeri që ka dhënë prova se puna e vetme që di të bëjë është të ngrejë pallate, të zaptojë hapësirat publike dhe të kujdeset për xhepin e tij dhe të klientëve të betonit. Kësisoj, të gjithë shqiptarët duhet të jenë të përgatitur dhe të ngrenë zërin fort në momentin kur makineria e betonit do të zbarkojë në bregdet, duke filluar nga muaji shtator. Asgjë nuk e ndal revanshin e betonizuesve. Ata nuk pyesin për shtet, ligje dhe kushtetutë. Interesi i tyre i vetëm është uzurpimi i bregdetit, zaptimi i pronave publike dhe private si dhe fryrja e xhepave.

Masterplani i Koço Kokëdhimës
Edi Rama Rama u ka bërë të ditur të zgjedhurve vendorë se ky plan rregullues parashikon dy faza. Faza e parë ka të bëjë me prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në çdo njësi, qofshin këto në ato që kanë dalje në det apo edhe ato në zonat e thella të këtij qarku. Kështu puna do të nisë që në ditët në vijim, pasi për këto lloj objektesh Rama u ka bërë të ditur të pranishmëve se s’ka probleme ligjore. Faza e dytë i përket periudhës së pas 9 shtatorit, kur edhe mazhoranca e re do të marrë pushtetin dhe do të ketë fuqinë e mbështetjes së çdo aksioni në këtë drejtim. Për këtë fazë kreu socialist ka informuar drejtuesit vendorë dhe deputetët se PS ka kontraktuar një kompani të huaj, e cila po bën studimin e vijës bregdetare dhe mbi përfundimet e këtij studimi po hartohet edhe masterplani ku do të përcaktohen me imtësi zonat për zhvillim të turizmit, ato për infrastrukturë, parqet etj. Masterplani së bashku me një paketë ligjore pritet të kalojë në Kuvend për t’u zbatuar në praktikë. Kësisoj, nxitimi për të krijuar idenë e ekzistencës së një masterplani rregullues për bregdetin, tregon edhe planin e fshehtë të Ramës dhe Kokëdhimës për të shtënë në dorë bregdetin dhe për të ndarë mes tyre dhe klientëve të pushtetit, përfitimet nga betonizimi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›