Greqia po “hakmerret” me fqinjët, fshin zgjerimin nga prioritetet e presidencës së BE-së
Në një artikull të prestigjiozes “Euroactiv”, e mirinformuar për çështjet e Unionit, nënvizohet se Ministria greke e Punëve të Jashtme së fundmi ka miratuar prioritetet e Presidencës së BE-së, ku në kundërshtim me traditën, është hequr prioriteti i zgjerimit. Vendimi dëmton kryesisht Shqipërinë, e cila pret marrjen e statusit si dhe Maqedoninë, e cila pret zhbllokimin e situatës lidhur me emrin
Pyetja e Ditës: A po përgatitet Rama për një telefonatë tjetër me Venizellosin, për të “folur për situatën”
Zgjerimi i BE, nuk përbën prioritet për Greqinë, vend që merr presidencën e radhës së Unionit në Janar të vitit që vjen. Ky fakt vjen në kundërshtim me angazhimin paraprak të këtij vendi për të promovuar zgjerimin e Bllokut në Ballkanin Perëndimor. Është një artikull i “Euroactiv” që nënvizon se në faqen e internetit të Ministrisë greke të Punëve të Jashtme janë publikuar së fundmi prioritetet e Presidencës greke, të ndarë në katër kapituj dhe asnjëri prej tyre nuk ka të bëjë me zgjerimin. Ulja e papunësisë dhe qëndrueshmëria në këtë aspekt. Integrimi i mëtejshëm i BE dhe eurozonë. Emigracioni dhe çështja e kufijve. Politikat detare. Këto janë katër prioritetet e Greqisë. “Zgjerimi mungon në këtë listë përkundër një angazhimi nga ana e Athinës në kuadrin e programit të përbashkët të të ashtuquajturës “Trio e Kryesive” – që përbëhet nga Irlanda, Lituania dhe Greqia -, e cila kishte përcaktuar zgjerimin si një “aspekt me rëndësi strategjike” .- thekson “Euroactiv”. I pyetur nga “Euroactiv” për këtë fakt, Dimitris Kourkoulas, zëvendës ministri i jashtëm i Greqisë, ka thënë se zgjerimi gjithmonë ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një prioritet i lartë për vendin e tij. Por ai tregoi se në vend të ngjarjeve të mëdha apo takimeve, Greqia kërkon që secili vend të bëjë përpjekjet e tij dhe ky proces të bazohet në merita. Më tej “Euroactiv” analizon marrëdhëniet e trazuara të Athinës me shtetet fqinje, duke u ndalur kryesisht te Turqia për shkak të Qipros veriore dhe te Maqedonia për shkak të emrit. Ndërkohë që me Shqipërinë marrëdhëniet kanë njohur ulje-ngritjet e tyre. Së fundi, çështja e toponimeve apo ajo e Kishës së Përmetit i kanë tensionuar këto marrëdhënie, për të mos harruar kufirin detar, që ende mbetet një çështje e pambyllur. Përtej konstatimit të “Euroactiv”, analistët në shtetin helen theksojnë se fakti që zgjerimi nuk është prioritet, përbën edhe një mesazh të fortë e të qartë për vendet fqinje, Turqinë, Shqipërinë e Maqedoninë. Kjo politikë që do të ndiqet nga Greqia në krye të BE-së, gjithnjë sipas analistëve do t’i detyrojë shtetet fqinje të jenë më “tolerante” ndaj Athinës, e cila përmes këtij pozicioni do të përpiqet të mbyllë çështjet e mbetura pezull.