E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Me votën tonë të vendosim, që të mos jemi më “të huaj” për Europën

TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, në takimin elektoral për zgjedhjet e 11 majit që zhvilloi sot në Pogradec, deklaroi se “vota e këtyre zgjedhjeve është një mision kombëtar dhe historik për anëtarësimin e vendit në BE.

“Ne i kemi hapur negociatat vjet dhe na është dhënë mundësia për tre vjet t’i mbyllim ato”, tha Rama, teksa theksoi se ne jemi europianë dhe vendi ynë është në Europë.

“Shqiptarët gjithmonë edhe në ditë më të errëta ëndërronin Perëndimin dhe Europën. Edhe kur ra sistemi i diktaturës shqiptarët dolën të gjithë në rrugë, askush nuk i mblodhi me organizim, ku ata të gjithë së bashku e nxorën nga shpirti i tyre atë shprehjen që mbeti në histori: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa””, tha Rama.

Sot, vijoi Rama, “jemi këtu me flamurin e Shqipërisë dhe flamurin e ëndrrës sonë shekullore, ndaj jemi këtu për t’i thënë të gjithë shqiptarëve dhe për të afirmuar se ky është momenti ynë i shqiptarëve, për afirmuar dinjitetin tonë europian dhe për të këmbëngulur në dinjitetin tonë europian. Zoti na ka vënë në qendër të Europës ndaj duhet të vendosim me votën tonë që të mos jemi më të huaj në zemër të Europës”.

Rama tha se, “neve na trajtojnë si të huaj. Ne kemi një pasaportë për të udhëtuar në Evropë por nuk kemi një pasaportë për të banuar si qytetarë të barabartë të Europës, e tani kjo derë është hapur dhe duhet të përfitojmë nga ky rast që kjo derë është hapur”.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›