Rama: Më 11 maj votojmë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, përtej ndasive politike

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetari i Partisë Socialiste, zhvilloi sot një takim përmbyllës me qytetarët në Pogradec në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Rama tha se vota në 11 maj ka rëndësi jetike për negociatat dhe Shqipërinë në BE, teksa bëri thirrjen që qytetarët të shohin përtej ndasive apo ngjyrimeve politike.
“Nuk ka fort rëndësi nëse ata që nuk janë drejtpërdrejtë mbështetës të PS, por që janë me siguri të interesuar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, a e pëlqejnë PS, Edi Ramën apo Niko Peleshin. Por, ka rëndësi se çfarë ata nuk duhet të bëjnë! Nuk duhet që një votë e cila përputh zgjedhjet për Kuvendin e ri të Shqipërisë me një zgjedhje të qartë midis Shqipërisë me BE në Evropë apo prapë në gropë, të bëjnë jo atë që forca e zakonit do t’i shtynte të bënin drejt “kënetës”, por t’i bashkohen 5-s për t’i dhënë atë fuqi që i duhet Shqipërisë për mbyllur negociatat me BE brenda vitit 2027”, tha Rama.
Më tej, Rama pohoi se në kuptimin e negociatave me BE-në, Shqipëria ka një afat 3-vjeçar që nuk e ka pasur asnjë vend ish-komunist që ka hyrë apo që kërkon të hyjë në BE.
Sipas Ramës, të gjithë të tjerët kanë marrë më shumë kohë dhe kjo për arsyen se PS ka bërë një përpjekje shumë të madhe dhe të suksesshme për të rivendosur apo vendosur në vend identitetin evropian bashkë me respektin ndaj nesh, si një kusht në marrëdhëniet ndërkombëtare. “Dhe ia kemi dalë që nga një vend dhe nga një emër, shqiptarët, që ata nuk e merrnin seriozisht, nuk e respektonin të kemi sot një marrëdhënie ku ata ne na respektojnë, na vlerësojnë dhe na besojnë. Në këto kushte, na kanë dhënë një afat, 2027-n, për të mbyllur negociatat. Por, hapja e derës së negociatave na ka marrë shumë kohë, sepse ajo është një shtëpi të pasurish, BE është një shtëpi të pasurish dhe ata nuk e mbajnë derën e hapur. Shtëpitë e varfërve janë me derën hapur, te shtëpia e të pasurve t’i mund të trokasësh sa të duash, por dera e tyre hapet kur duan ata ta hapin dhe kur ata kanë një interes të tyrin që ta hapin, dhe janë 27 vende aty brenda në atë shtëpi që duhet të jenë dakord që të hapet dera”, cilësoi Kryeministri.
Kreu i qeverisë nënvizoi faktin se ajo që është bërë deri tani ka qenë përgatitja për të qenë gati në momentin që dëshira e përhershme dhe vendosmëria e palëkundur e Shqipërisë për ta hapur atë derë të përputhej me vendimin e tyre për ta hapur derën. Rama tha se “këto janë përputhur tani, ne jemi ulur në tryezë dhe duhet të bëjmë “marrëveshjen e krushqisë” për të hyrë në atë shtëpi”.
“Janë mbi 250 mijë faqe që nga ekonomia, drejtësia, liritë, të drejtat, administrata, shëndetësia, mjedisi, deri te zogjtë, peshqit, gaforret të gjitha. Sepse duhet të biem dakord me ta për kriteret, standardet, rregullat, masat, ligjet që janë baza e funksionit të asaj shtëpie. Ne kemi kërkuar këtë gjë jo për ata, por për veten tonë. Ne duam ta bëjmë Shqipërinë Evropën e Ballkanit këtu dhe të jemi pjesë e asaj shtëpie atje”, tha Rama.
“Dhe mbasi biem dakord me ata në Bruksel duhet të kthehemi këtu për të bërë gjërat për të cilat biem dakord, për t’i vendosur ato rregulla, për t’i bërë ato ligje. E parafytyroni ju që këtë kohë kaq të shkurtër që na është dhënë të mos mundim ta shfrytëzojmë për të përmbushur të gjithë negociatën sepse mund të na duhet të presim që t’i mbushet mendja “kënetës” që të bashkohet me ne për bërë një ligj të caktuar?!”, tha ai.
Rama u ndal sërish te historia e integrimit dhe zgjerimit të BE-së me vendet e rajonit, ndërsa theksoi se ajo derë mund të mbyllet. Ndaj, sipas Kryeministrit, Shqipëria nuk mund ta humbasë këtë moment historik që fati e deshi që të vinte tani në dorën e shqiptarëve në formën e një flete votimi në një ditë votimi, për të thënë njëzëri përtej kufijve të partive, ngjyrave të partive se ne, populli shqiptar, duam të hyjmë tani në BE.
“Duhet t’i referohemi historive të anëtarësive në rajonin tonë. Nuk ka ndodhur asnjë anëtarësim në rajonin tonë, dhe atyre që ju thonë: “Edi Rama mori tre mandate nuk na futi dot në BE dhe tani ju kërkon mandatin e katërt”, atyre duhet t’u thoni që Edi Rama nuk ishte i zoti ta bënte këtë punë se ishte i zënë me punë të tjera nga ato që thotë “bufi”. Po Mali i Zi që i ka filluar negociatat përpara se ne të vinim në qeveri, ne ishim në opozitë, pse nuk është anëtarësuar? Po Serbia që i ka filluar në 2014-n, ne nuk ishim bërë akoma kandidatë, ne na shikonin si “dele të zezë”, si një bezdi që duhet kaluar, nuk na merrnin seriozisht, pse Serbia nuk është futur në BE? Po Maqedonia, që është bërë kandidate në 2005-n, jo që nuk është futur, po akoma nuk i ka hapur negociatat”, pohoi Rama.
Kryeministri cilësoi faktin që Shqipëria i ka hapur negociatat vjet dhe është dhënë mundësia për tre vjet që të mbyllen. Dhe sot, sipas Ramës, ne jemi në të njëjtën shkallë te pragu me Malin e Zi, dhe të tjerët janë prapa nesh.
“Ky është momenti për të bërë hapin vendimtar që në këto dy vite t’i çojmë deri në fund negociatat dhe të mos luajmë me fatin tonë, siç ka ndodhur në të shkuarën”, tha Rama.
/a.f/r.e/