Basha: Kemi program për qytetarët dhe ekip të pa përlyer në korrupsion

TIRANË, 5 maj/ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, zhvilloi takime me qytetarë dhe biznese në Njësitë 5 dhe 6.
Basha gjatë takimeve me bizneset u shpreh se “Koalicioni Euroatlantik përveç se vjen me një program për qytetarët, ka dhe një ekip normal, qytetarë model, profesionistë të papërfshirë në korrupsion më parë”.
Ai më tej u shpjegoi qytetarëve edhe pikat kryesore të programit duke filluar me politikat për sipërmarrjen, familjet shqiptare, të rinjtë, pensionistët e deri tek ish-të përndjekurit.
“Për sipërmarrësit: Vendosja e taksës së sheshtë në masën 9%; Heqja e TVSH për biznesin e vogël; Lehtësira reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme.
Për familjet shqiptare: Subvencione për strehimin e çifteve të reja; Dyfishim i ndihmës për nënat kryefamiljare; Deri në 20 mijë euro bonus për fëmijën e tretë.
Për të rinjtë: 100 milionë euro investime për programin NextGen në 4 vite; Praktika të paguara, mbështetje për startup-et dhe bursa për vajzat; Shkolla me orar të zgjatur, drekë të garantuar dhe kushte që i japin vlerë arsimit publik”, tha Basha.
Duke kthyer vëmendjen tek ish-të përndjekurit, Basha nënvizoi premtimin për “përmbylljen e plotë pas rishikimit sipas objektivave të dëmshpërblimit financiar për ish-të përndjekurit politikë dhe pasardhësit e tyre, në mënyrë të plotë brenda katër viteve të ardhshme. Trajtimin e statusit financiar të statusit të të përndjekurit politik me efekt retroaktiv të barasvlefshëm me statusin e ish-ushtarakut në Republikën e Shqipërisë. Zgjatja me efekt të menjëhershëm dhe deri në përfundim të procesit të shqyrtimit të mbi dy mijë dosjeve të mbetura pezull dhe të pashqyrtuara për mungesë të qartë të vullnetit politik. Rishikimin e vendimeve të padrejta të marrë për të paktën 1600 raste të persekutimit, përfshirë të ekzekutimit, në veçanti në periudhën shtator 1944, mars 1945″.
Për pensionistët: Brenda katër viteve pensioni minimal 250 mijë lekë, pensioni mesatar 450 mijë lekë. Për çdo pensionist nën 300 mijë lekë një shumë fikse për të kompensuar çdo muaj faturën e energjisë, si dhe sa i takon barnave, rimbursim 100% i barnave”, përfundoi Basha.
/a.f/r.e/