E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama nga Durrësi: Në 11 maj t’i japim një shtytje dhe më të fortë “leshterikëve të kënetës”

TIRANË, 8 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ftoi sot durrsakët që në 11 maj t’i japin një shtytje edhe më të fortë “leshterikëve” të kënetës.

Në takimin përmbyllës elektoral për zgjedhjet e 11 majit në Durrës, Rama komentoi edhe takimin elektoral të opozitës në këtë shesh.

“Si durrsak dua ta nis me një falënderim shumë të veçantë, pasi qysh i vogël kam kaluar në këtë shesh dhe pastaj kur u rrita dhe u bëra kryeministër kam dashur shumë që ky shesh të ndryshojë”, shtoi Rama, ndërsa theksoi se ky shesh tashmë është transformuar.

Rama e konsideroi takimin e opozitës në Durrës, si “një lëmsh leshterikësh të dalë nga deti”.

“Para pak ditësh kur Ani më çoi foton e “kënetës” që ishin mbledhur këtu, m’u duk sikur kishin dalë leshterikët e bregut dhe ishin bërë lëmsh këtu. Faleminderit që erdhët e pastruar atë imazh, se nuk mund ta përballoja dot idenë që ai lëmshi i leshterikëve kishte lënë një hije në këtë shesh”, u shpreh Rama.

Kryeministri kërkoi nga durrsakët që ashtu siç fshinë atë lëmsh me këtë masivitet sot dhe me këtë dallgë të dalë nga deti, kështu edhe qarku i Durrësit do t’i japë një shtytje edhe më të fortë “leshterikëve” në 11 maj. “Një shtytje që do t’i rrudhi edhe më shumë”, u shpreh Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›