E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Më 11 maj do të zgjedhim për historinë, Shqipërinë në BE

TIRANË, 8 maj /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në Durrës.

Rama, në fjalën e tij, u shpreh se, “sot mbyllet rrugëtimi i filluar qytet më qytet, fshat më fshat, lagje më lagje, shpi më shpi, derë më derë, por fillon puna intensive për të siguruar daljen e çdo zgjedhësi dhe për të siguruar që askush të mos mbetet pa votuar, ashtu sikundër duhet të vazhdojë puna edhe për të siguruar që të gjithë ata që janë jashtë Shqipërisë dhe që janë regjistruar si zgjedhës në Durrës të kthejnë zarfin, pasi asnjë zarf nuk është mirë të mbetet pa u dërguar në 11 maj”.

“Në 11 maj nuk është një zgjedhje si gjitha të tjerat. Ne kemi bërë shumë palë zgjedhje. Kemi zgjedhur për qeverinë, kemi zgjedhur për bashkinë, ndërkohë që më 11 maj do të zgjedhim për historinë. Është një takim me historinë”, tha Rama.

Asnjëherë, shtoi Rama, “qysh se ra regjimi komunist dhe qysh se të gjithë ne e ëndërruam me zë, jo vetëm në heshtje, siç ndodhte më përpara kur Durrësi dëgjonte fshehurazi Adriano Çelentanon, por me zë: “Shqipërinë si gjithë Evropa”, është hera e parë pas 30 e kusur vitesh që BE ka hapur derën dhe na ka shtrirë dorën, duke na ftuar që të negociojmë një marrëveshje përfundimtare deri në 2027-n dhe të bëhemi anëtarë të BE-së”.

Këtë mundësi, theksoi Rama “që historia e solli përpara nesh, falë një punë shumë të madhe, shumë këmbëngulëse që ne kemi bërë, por edhe falë faktit që papritur janë përputhur yjet, ylli i fatit evropian të Shqipërisë, me yllin e fatit të Evropës ne nuk mund ta humbim, ne nuk mund ta nënvlerësojmë, ne nuk mund ta trajtojmë si një mundësi që do të jetë gjithmonë aty”.

“BE është një shtëpi të pasurish. Shtëpitë e të pasurve nuk e mbajnë derën hapur, ju e dini shumë mirë, janë të varfrit që e mbajnë derën hapur gjithmonë, jo të pasurit dhe kur dera e asaj shtëpie hapet, do të thotë që janë përputhur edhe interesat. Janë 27 aty brenda që duhet të bien të gjithë dakord që të hapin derën dhe ti mund të trokasësh sa të duash, ti mund të jesh gati sa të duash që të hysh aty brenda, por pa rënë në një mendje ata të gjithë, dhe pa e parë ata interesin e tyre te trokitja jote, dera nuk hapet”, tha Rama.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›