Rama nga Luksemburgu: Kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka mbaruar, askush nuk është mbi ligjin

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin.
Rama iu përgjigj interesimit të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne, pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian në Luksemburg.
I pyetur nga gazetari i medias “Kiev Independent” lidhur me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, Rama tha se sistemi ka nisur të funksionojë dhe drejtësia po bën punën e vetë.
“Mendoj që ju dhe vendi juaj mund ta kuptoni shumë mirë se çfarë nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vetë. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Fakti që ju e dini tregon se sistemi ka nisur të funksionojë”, tha Rama.
Ndërkohë Kryeministri kujtoi se “kur e nisëm këtë rrugëtim njiheshim si atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë”.
“Vijmë ndërkohë këtu në këtë ndërtesë sot e njihemi si një prej vendeve pararojë edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Pikërisht sepse ai që dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot është një sistem që lufton korrupsionin, jemi këtu duke mbyllur një kapitull dhe do të kthehemi sërish për të mbyllur kapituj të tjerë. Është çështje këndvështrimi”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se këtu e merr motivimin dhe energjinë për të ecur përpara, sepse nga këndvështrimi i kësaj ndërtese kështu duhet të jetë.
/r.e/